Connect with us

Bota

TRUMP DERGON 5000 TRUPA SHTESE NE POLONI

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka njoftuar vendosjen e 5 mijë trupave shtesë amerikane në Poloni, në një lëvizje që po interpretohet si një ndryshim qëndrimi vetëm pak ditë pasi Pentagoni kishte pezulluar përkohësisht një dislokim të planifikuar drejt krahut lindor të NATO-s.

Polonia konsiderohet një nga aleatët më të rëndësishëm të Washingtonit në Evropën Lindore dhe aktualisht strehon rreth 10 mijë ushtarë amerikanë.

Përmes një deklarate publike, Trump e lidhi vendimin edhe me marrëdhënien e tij me presidentin polak Karol Nawrocki, duke theksuar se vendimi vjen pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit polak.

Megjithatë, administrata amerikane nuk ka sqaruar ende nëse trupat do të jenë të përhershme apo në rotacion dhe as nëse ky vendim lidhet me zhvendosje të tjera të forcave amerikane në Evropë.

Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Pentagoni kishte shtyrë rotacionin e rreth 4 mijë ushtarëve amerikanë drejt Polonisë, një vendim që shkaktoi shqetësim në Varshavë dhe reagime në Kongresin amerikan.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kishte mbrojtur më herët vendimin, duke argumentuar se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

Zhvillimi ndodh në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet transatlantike dhe roli i aleatëve evropianë në sigurinë kolektive.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio kritikoi disa vende anëtare për mungesë mbështetjeje ndaj operacioneve amerikane, duke përmendur veçanërisht Spanjën.

Nga ana e tij, presidenti polak Nawrocki e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si dëshmi të forcës së aleancës strategjike mes Varshavës dhe Washingtonit, ndërsa ministri polak i Mbrojtjes deklaroi se ky hap konfirmon marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.

Advertisement