Connect with us

Bota

Trump e mendon sot, e anulon nesër: Tarifa 20% për Hormuzin “jetoi” vetëm 24 orë

Donald Trump ka bërë edhe një kthesë të shpejtë në politikën e tij ekonomike, duke hequr dorë nga tarifa prej 20% për ngarkesat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, vetëm pak më shumë se 24 orë pasi e kishte shpallur atë.

Presidenti amerikan njoftoi në platformën Truth Social se plani për tarifën do të zëvendësohet me marrëveshje investimi dhe bashkëpunimi ekonomik me vendet e Gjirit.

Pra, nga tarifat dhe presioni ekonomik, administrata amerikane kaloi brenda një dite te negociatat dhe investimet, duke e bërë edhe një herë të vështirë të kuptohet se cili nga vendimet e Trump është përfundimtar dhe cili është thjesht një ide e momentit.

Një ditë më parë, Trump kishte deklaruar se tarifa prej 20% do të zbatohej për të gjitha ngarkesat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Sipas tij, të ardhurat e mbledhura do të përdoreshin për financimin e sigurisë dhe garantimin e lundrimit të lirë në këtë korridor strategjik.

Por plani nuk arriti të qëndronte gjatë në fuqi, të paktën në nivelin e deklaratave. Trump tashmë thotë se do të përqendrohet te marrëveshjet ekonomike me shtetet e Gjirit, ndonëse ende nuk ka dhënë hollësi konkrete mbi përmbajtjen apo mënyrën e zbatimit të tyre.

Në fund, tarifa 20% u tërhoq pa nisur mirë të diskutohej, ndërsa mbetet për t’u parë nëse marrëveshjet e reja do t’i mbijetojnë më shumë se një ditë axhendës së ndryshueshme të presidentit amerikan.

Advertisement