Connect with us

Bota

Trump i vendosi vulën Hormuzit, reagon Teherani: Do ti shuajmë shpejt iluzionet tuaja

Përplasja mes Uashingtonit dhe Teheranit po merr një tjetër kthesë, me deklarata gjithnjë e më të ashpra nga të dyja palët.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pretendon se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë rikthimin në negociata, por këtë herë sipas kushteve të Iranit.

Sipas tij, objektivi i luftës ishte detyrimi i Iranit të dorëzohej, por kjo nuk ndodhi.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Amerika tani po na kërkon të negociojmë sipas kushteve tona”, deklaroi Araghchi.

Ai pretendoi se memorandumi i mirëkuptimit mes palëve përmban 13 dispozita në favor të Iranit dhe vetëm një në favor të SHBA-së. Araghchi akuzoi gjithashtu Izraelin se po përpiqet të pengojë zbatimin e marrëveshjes.

“Ne fituam luftën dhe fituam në diplomaci. E detyruam armikun të pranonte kushtet tona”, tha ai.

Por tensioni është zhvendosur edhe te Ngushtica e Hormuzit, një prej pikave më strategjike të trafikut detar dhe energjetik në botë.

Zëvendëskomandanti i Gardës Revolucionare, gjeneralmajor Mostafa Izadi, deklaroi se Hormuzi është nën kontrollin e forcave iraniane dhe se kundërshtarët e Teheranit ndodhen në një situatë të vështirë.

Përplasja u ndez edhe më shumë pas një postimi të Donald Trump në Truth Social, ku presidenti amerikan publikoi një hartë të Ngushticës së Hormuzit dhe zonave përreth, të shoqëruar me frazën “Territori i Ri Amerikan”.

Teherani reagoi menjëherë.

Zëvendësministri iranian i Jashtëm për Çështjet Ligjore dhe Ndërkombëtare, Kazem Gharibabadi, shkroi:

“Së shpejti, iluzioni i Trumpit në lidhje me Ngushticën e Hormuzit ose do të korrigjohet, ose ne do t’i korrigjojmë iluzionet e këtij njeriu.”

Kështu, ndërsa Washingtoni dhe Teherani pretendojnë secili se ka dalë më i fortë nga përplasja, Hormuzi mbetet pika ku retorika politike mund të përplaset me realitetin ushtarak dhe strategjik.

Advertisement