Bota
TRUMP: IRANI ËSHTË SHKATËRRUAR USHTARAKISHT, NUK DO TË KETË KURRË ARMË BËRTHAMORE
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kapacitetet kryesore ushtarake të Iranit janë shkatërruar, duke e cilësuar ndërhyrjen amerikane si një goditje vendimtare ndaj Teheranit.
Në një intervistë radiofonike, Trump tha se marina dhe aviacioni iranian nuk ekzistojnë më, ndërsa pretendoi se një pjesë e rëndësishme e udhëheqjes së vendit është eliminuar.
Sipas tij, objektivi kryesor i Uashingtonit mbetet i pandryshuar: Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.
“Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan mbrojti përdorimin e forcës dhe tha se do të merrte të njëjtin vendim edhe “100 herë”, duke këmbëngulur se Teherani nuk do të lejohet të zhvillojë kapacitete bërthamore ushtarake.
Megjithatë, Trump pranoi se Irani ende disponon raketa dhe dronë, ndërsa paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt kontrollit të plotë të Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike të energjisë në botë.
Ndërkohë, tensionet në Hormuz kanë dhënë efekt edhe në tregjet e energjisë. Çmimi i karburanteve u rrit me rreth 2 për qind, ndërsa SHBA-ja raportohet se ka ngritur një korridor të posaçëm detar për të garantuar kalimin e cisternave të naftës.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, 15 deri në 20 cisterna po kalojnë çdo natë në një rrugë jugore pranë brigjeve të Omanit. Flukset e naftës po i afrohen deri në 10 milionë fuçi në ditë, ndërsa në disa net eksportet nga Gjiri kanë arritur në 15 deri në 20 milionë fuçi.
Nga Teherani, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi i ka cilësuar deklaratat e Trumpit si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme të Shteteve të Bashkuara.
Përplasja SHBA-Iran mbetet e hapur, ndërsa Hormuzi shndërrohet gjithnjë e më shumë në pikën më të rrezikshme të betejës për kontrollin e energjisë dhe presionit ekonomik.