Bota
Trump mohon mungesën e armëve: SHBA ka rezerva të mëdha ushtarake
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kundërshtuar raportimet se SHBA po përballet me mungesë municionesh, duke deklaruar se vendi disponon rezerva të konsiderueshme armësh dhe vijon prodhimin sipas nevojave.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë sasi të mëdha pajisjesh ushtarake, ndërsa prodhimi vazhdon në mënyrë të pandërprerë.
Deklarata vjen mes diskutimeve mbi gjendjen e arsenalit amerikan, ndërsa SHBA vazhdon të mbështesë Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe konflikti me Iranin vijon.
Raportime të mediave amerikane, përfshirë CBS News dhe The Washington Post, kanë ngritur shqetësime për përdorimin e një pjese të rezervave të raketave me precizion të lartë dhe kanë raportuar për diskutime brenda administratës lidhur me nivelin e stokut ushtarak.
Trump i ka mohuar këto raportime dhe ka deklaruar se personat që publikojnë informacione të klasifikuara duhet të përballen me ndjekje penale.
Nga ana tjetër, Pentagoni ka bërë të ditur se rezervat ushtarake të SHBA-së mbeten të mjaftueshme dhe se prodhimi i armëve po rritet për t’iu përgjigjur kërkesave aktuale.