✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Trump sinjalizon vendim për Iranin: Mënyra e lehtë ose e vështirë

Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit, ndërsa ka deklaruar se vendimi përfundimtar mbetet në duart e tij.

“Kam një vendim për të marrë lidhur me Iranin”, u shpreh Trump për gazetarët, duke shtuar se situata mund të zgjidhet “në mënyrën e lehtë ose në atë të vështirë”.

Trump deklaroi gjithashtu se Irani është dëmtuar rëndë dhe pretendoi se Teherani po tërhiqet nga planet për zhvillimin e armëve bërthamore.

Në të njëjtën kohë, këshilltarët kryesorë të sigurisë kombëtare të administratës amerikane janë mbledhur në Camp David, ku kanë diskutuar situatën me Iranin dhe zhvillimet në Jemen. Takimi është zhvilluar në mënyrë të mbyllur dhe në fokus kanë qenë opsionet që ka në dispozicion Uashingtoni.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane po përgatiten për një reagim më të fuqishëm në rast se SHBA-ja ndërmerr sulme të reja. Sipas raportimeve, komandantët e lartë iranianë po shqyrtojnë zgjerimin e objektivave të mundshëm, duke përfshirë asetet amerikane dhe vendet që mbështesin operacionet e Uashingtonit.

Tensionet mes dy vendeve mbeten të larta, ndërsa përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të ri vijojnë paralelisht me përgatitjet ushtarake.

Në këtë situatë, deklaratat e Trump kanë rritur pasigurinë mbi hapat e ardhshëm të SHBA-së ndaj Teheranit, ndërsa ende nuk është bërë i ditur një vendim përfundimtar për nisjen e operacioneve të reja ushtarake.

Advertisement