Bota
Trump: Vatikani mund të organizojë bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sapo ka postuar në Truth Social pas bisedës telefonike dy-orëshe me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai thotë se beson që telefonata shkoi “shumë mirë”, duke shtuar se: Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat drejt një armëpushimi dhe, më e rëndësishmja, t’i japin fund luftës.
Po ashtu, shton se kushtet për një armëpushim do të vendosen pas negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë. Arsyeja sipas Trump është sepse ata i dinë detajet e një negociate për të cilën askush tjetër nuk do të ishte në dijeni.
Edhe pse Donald Trump refuzoi të zbulonte se si do të vendoseshin negociatat e shumëpritura të drejtpërdrejta për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, ai sugjeroi një vend të mundshëm për takimin.
“Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka deklaruar se do të ishte shumë i interesuar të priste takimet për negociatat,”– shkroi ai në rrjetet sociale.
Kjo vjen pas takimit të zv.presidentit amerikan JD Vance me Papën e sapoemëruar Leo XIV këtë mëngjes. Në këtë takim, Vance e ftoi Papën në Shtëpinë e Bardhë.

