Connect with us

Aktualitet

U NXEH LOJA PËR AEROPORTIN E VLORËS/ PACOLLI PARALAJMËRON QEVERINË: ARBITRAZHI TASHMË ËSHTË I PASHMANGSHËM

Përplasja për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po hyn në një fazë të re dhe shumë më të fortë juridike.

Behgjet Pacolli ka njoftuar se kompania e tij, MABCO Constructions SA, ka marrë zyrtarisht shkresën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes së cilës është iniciuar procedura për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit.

Sipas Pacollit, ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat për Aeroportin e Vlorës.

Ai deklaron se MABCO kishte zgjedhur prej më shumë se një viti dialogun dhe rrugën institucionale, me qëllim shmangien e një konflikti ndërkombëtar. Por tashmë, sipas tij, arbitrazhi po bëhet i pashmangshëm.

“MABCO nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të saj me të gjitha mjetet juridike që parashikojnë kontrata dhe e drejta ndërkombëtare”, shprehet Pacolli.

Sipërmarrësi pretendon se kompania është përballur me tentativa për tjetërsimin e kuotave, vendime gjyqësore kontradiktore, përjashtim nga administrimi i investimit dhe bllokim fizik të aksesit në kantier.

Sipas versionit të MABCO-s, këto pengesa kanë ndodhur pikërisht kur projekti kishte hyrë në fazën përfundimtare dhe ndodhej pranë certifikimit. Pacolli akuzon institucionet se tani po përdorin kundër investitorit vonesat që, sipas tij, janë shkaktuar ose toleruar prej vetë shtetit.

MABCO pretendon gjithashtu se veprimi i Ministrisë bie ndesh me vendimet gjyqësore, Kontratën e Koncesionit dhe marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Zvicrës për mbrojtjen e investimeve.

Pacolli bën të ditur se që prej gushtit të vitit 2025 kompania ka kërkuar një auditim të pavarur ndërkombëtar teknik dhe financiar për çdo euro të investuar në aeroport, por kërkesa, sipas tij, është refuzuar ose injoruar.

Ai ngre akuza edhe ndaj organeve të drejtësisë, duke deklaruar se kallëzimet penale të paraqitura nga MABCO për veprime të dyshuara të kundërligjshme nuk kanë marrë trajtimin e duhur.

Nga ana tjetër, procedura e Ministrisë vjen pas tejkalimit të afateve kontraktore për përfundimin dhe vënien në funksion të aeroportit. Edhe pas një afati shtesë të përcaktuar nga autoritetet, punimet nuk u përfunduan, ndërsa projekti është përfshirë prej muajsh në një konflikt të fortë mes ortakëve.

MABCO paralajmëron se në arbitrazhin ndërkombëtar do të paraqesë të gjitha dokumentet, provat dhe faktet që disponon.

“Ky nuk është një konflikt që MABCO e ka kërkuar. Është pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve që kishin detyrimin të mbronin shtetin e së drejtës, kontratën dhe investimin”, përfundon Pacolli.

Tashmë përplasja nuk është më vetëm mes ortakëve të projektit. Në lojë ka hyrë drejtpërdrejt shteti shqiptar, ndërsa fatura përfundimtare mund të përcaktohet në dyert e arbitrazhit ndërkombëtar.

#AeroportiiVlorës #BehgjetPacolli #MABCO #Arbitrazh #Qeveria #MinistriaeInfrastrukturës #Vlorë #Aktualitet #Shqipëri #NTV

Advertisement