Kronike
U plagos gjatë shërbimit, ky është efektivi 20-vjeçar Arsen Toska
Personi që po shikoni në foto është Arsen Toska, efektivi i policisë i cili mbeti i plagosur gjatë shoqërimit të një të arrestuari nga Fieri për në komisariatin e policisë në Kuçovë. Aktualisht i riu ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës dhe po merr një shërbim intensiv shëndetësor. Ai ka pësuar dëmtime serioze për shëndetin, pasi ndodhet me paralizë të gjymtyrëve të poshtme.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në zonën e Kutallisë, në Dimal, ku 45-vjeçari Zamir Skënderi i cili po shoqërohej për në komisariatin e Kuçovës, mori armën e efektivit të policisë dhe qëlloi brenda makinës. Si pasojë e kësaj mbeti i plagosur 20-vjeçari, ndërsa autori tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia ai ka deklaruar se nuk mban mend asgjë se si ndodhi ngjarja, pasi ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
“Nuk mbaj mend asgjë nga ajo që ka ndodhur pasi kam qenë nën efektin e lëndëve narkotike”, ka deklaruar 45-vjeçari.
Policia po heton më shumë mbi rastin, ndërsa po hetohet edhe fakti se pse 45-vjeçari nuk i është nënshtuar kontrollit të policisë, pasi ndodhej nën e fektin e lëndëve narkotike.