Sport
U ‘ringjall’ në morg”? Klubi i futbollistit nigerian: Nuk është e vërtet, ai ka vdekur
Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Nigeri, ku futbollisti 27-vjeçar Chinedu Ozor ka humbur jetën pasi pësoi një kolaps gjatë një ndeshjeje.
Ozor po luante për Katsina United në një ndeshje miqësore ndaj Niger Tornadoes, të zhvilluar të martën, më 11 gusht, në stadiumin Muhammad Dikko në Katsina, në veri të Nigerisë.
Sipas një zyrtari të klubit, futbollisti u rrëzua në fushë vetëm nëntë minuta pas nisjes së takimit. Ai u transportua menjëherë në K-Dara Specialist Hospital për të marrë ndihmë mjekësore, por më vonë u konfirmua vdekja e tij.
Pas lajmit tragjik, disa media raportuan se Ozor kishte shfaqur shenja jete në morg. Sipas këtyre raportimeve, një punonjës kishte vënë re lëvizje të duarve të futbollistit dhe kishte njoftuar kolegët, pas së cilës ai ishte rikthyer në spital dhe i ishte dhënë oksigjen.
Megjithatë, klubi Katsina United i ka mohuar kategorikisht këto raportime, duke sqaruar se futbollisti nuk është rikthyer në jetë.
Klubi deklaroi se e kupton dëshirën e njerëzve për të besuar se Ozor kishte shpëtuar, por theksoi se raportimet për rikthimin e tij në jetë nuk janë të vërteta.
Katsina United u ka bërë thirrje mediave dhe publikut që të shmangin spekulimet dhe të respektojnë dhimbjen e familjes, miqve dhe shokëve të skuadrës së futbollistit të ndjerë.