Connect with us

Kronike

U vra gjatë pushimeve në Ksamil, del fotoja e turistit portugez

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ksamilin në kulmin e sezonit turistik, ku 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela

Mendes humbi jetën pas një konflikti që përfundoi me përdorimin e thikës.

I riu kishte ardhur në Shqipëri së bashku me një grup miqsh për të kaluar pushimet verore, por nuk do të kthehej më në vendin e tij. Ngjarja u zbulua rreth orës 05:15 pranë kompleksit “Principote”, ku 20-vjeçari u gjet pa shenja jete mbi shezlongë.

Sipas të dhënave të ekspertizës mjeko-ligjore, Mendes kishte marrë disa goditje me thikë në pjesën e shpinës dhe kraharorit, plagë të cilat rezultuan fatale.

Hetimet paraprake po përqendrohen te një konflikt që dyshohet se ka nisur pas një feste në ambientet e resortit. Një prej pistave të hetimit lidhet me një përplasje për motive të dobëta, ndërsa dinamika e plotë e konfliktit vijon të hetohet nga grupi hetimor.

Për ngjarjen është arrestuar 29-vjeçari Sokrat Vata, i dyshuar si autori i vrasjes. Pas ngjarjes, Vata u largua nga vendi i krimit, por u lokalizua disa orë më vonë në Levan të Fierit, ku dyshohet se po tentonte të largohej drejt Tiranës i fshehur në bagazhin e një automjeti.

Në automjet ndodheshin një grua 31-vjeçare dhe një burrë 38-vjeçar, të dy shtetas turq. Roli i tyre në largimin e të dyshuarit është pjesë e hetimit.

Sipas të dhënave të bëra publike, Vata kishte punuar si pjesë e stafit të sigurisë në kompleks dhe rezulton se ka pasur probleme të mëparshme me drejtësinë në Britaninë e Madhe, ku është dënuar me burgim për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit.

Në kuadër të hetimeve janë shoqëruar dhe ndaluar disa persona, ndërsa autoritetet po verifikojnë rolin e secilit prej tyre, përfshirë edhe personat që kanë qenë të pranishëm në momentet e konfliktit.

Vrasja e turistit portugez ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në zonat turistike të vendit, veçanërisht në një periudhë kur Shqipëria pret një numër të lartë vizitorësh të huaj.

Del foto e turistit portugez të vrarë në Ksamil

Advertisement