Connect with us

Aktualitet

Vapa përvëluese rikthehet në Shqipëri, temperaturat arrijnë deri në 40 gradë

Vendi ynë do të vijojë të jetë të dielën nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta, me temperaturat maksimale që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira të pakta deri mesatare, të cilat do të shfaqen kryesisht përgjatë relieveve malore në lindje dhe në jug-juglindje gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.

Në zonën e juglindjes vranësirat do të jenë herë pas here më të dendura, ndërsa nuk do të mungojnë reshjet e shiut me intensitet të ulët përgjatë zonave malore.

Sipas parashikimit, në orët e mesditës dhe pasdites mund të ketë edhe shtrëngata të izoluara dhe afatshkurtra. Në juglindje reshjet mund të jenë për periudha të shkurtra me intensitet deri mesatar, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i perëndimit me shpejtësi mesatare deri në 6 m/s, ndërsa herë pas here përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore mund të arrijë deri në 14 m/s.

Në det pritet valëzim i forcës 1 deri në 3 ballë.

Temperaturat e larta do të vijojnë të jenë karakteristika kryesore e motit, me vlerat maksimale që në disa zona mund të prekin nivelin e 40 gradëve Celsius.

Advertisement