Bota
BORDI I PAQES, VATIKANI KUNDER DONALD TRUMP
Vatikani ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në nismën “Bordi i Paqes” të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Deklarata u bë nga Kardinali Pietro Parolin, sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë dhe zyrtari më i lartë diplomatik i Vatikanit, i cili theksoi se roli i Selisë së Shenjtë nuk përputhet me natyrën e kësaj strukture.
“Selia e Shenjtë nuk do të marrë pjesë në ‘Bordin e Paqes’ për shkak të natyrës së saj të veçantë, e cila qartësisht nuk është ajo e shteteve të tjera”, u shpreh Parolin.
Ai shtoi se një nga shqetësimet kryesore është që menaxhimi i krizave ndërkombëtare duhet të mbetet nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.
“Në nivel ndërkombëtar duhet të jetë mbi të gjitha OKB-ja ajo që menaxhon situatat e krizës. Ky është një nga pikat ku ne kemi insistuar”, theksoi ai.
Nisma e “Bordit të Paqes” u prezantua nga Trump në kuadër të planit të tij për Gazën, i cili çoi në një armëpushim të brishtë në tetor.
Fillimisht, bordi ishte konceptuar për të mbikëqyrur administrimin e përkohshëm të Gazës, por më pas Trump deklaroi se ai do të zgjerohej për të trajtuar konflikte globale, me vetë presidentin amerikan në krye të strukturës.
Papa Leoni, i pari papë amerikan dhe kritik i disa politikave të Trump, ishte ftuar të merrte pjesë në bord në janar.
Takimi i parë i “Bordit të Paqes” pritet të zhvillohet në Washington këtë të enjte, me fokus rindërtimin e Gazës. Italia dhe Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë si vëzhgues, por pa u bërë pjesë zyrtare e bordit.