Kronike
Vdekjen e 13-vjeçares shqiptare/ Ish i dashuri: Unë e hodha nga ballkoni
Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila në Piacenza të Italisë. Çështja, e cila fillimisht u trajtua si një rënie aksidentale nga ballkoni i një pallati, ka marrë një drejtim tjetër pas rrëfimit të ish-të dashurit të së miturës.
Gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, i riu pranoi se ishte ai që e kishte hedhur Aurorën nga ballkoni më 25 tetor 2024, duke marrë përgjegjësinë për vdekjen e saj. I dënuar me 17 vite burg në shkallën e parë nga Gjykata për të Mitur, ai ndryshoi dëshminë e mëparshme, kërkoi falje për veprimin e kryer dhe u shpreh i penduar që nuk e kishte pranuar më herët autorësinë.
“Me këtë rrëfim mbyllet një kapitull i rëndësishëm i kësaj çështjeje. Shpresojmë që Gjykata e Apelit të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë”, deklaroi avokati Emilio Malaspina, përfaqësuesi ligjor i nënës së viktimës, sipas mediave italiane.
Pas pranimit të fajësisë, seanca u shty për më 10 shtator, kur pritet të jepet edhe vendimi i Gjykatës së Apelit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i familjes së Aurorës vlerësoi se rrëfimi i të pandehurit ka ardhur tepër vonë dhe nuk duhet të ndikojë në uljen e dënimit.
“Jemi të bindur se ky pranim është bërë për të kërkuar një dënim më të lehtë se ai prej 17 vitesh i dhënë në shkallën e parë. Tani mbetet në dorën e gjykatës të vendosë”, u shpreh ai.