Sport
Vendi në formacion fitohet në fushë, jo me emër/ Maran ‘shuan’ Brojën dhe ‘ndez’ kombëtaren
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dhënë sinjale për ndryshime në skuadër në prag të ndeshjeve zyrtare të Nations League.
Në një intervistë trajneri italian tha se pas muajve të analizave tashmë ka një ide më të qartë për lojtarët dhe formën e tyre. Maran ka ndjekur nga afër ndeshjet e futbollistëve kuqezi dhe bëri të ditur se në ditët në vijim do të udhëtojë në rreth shtatë vende për t’i monitoruar.
Një nga mesazhet kryesore të tij ishte rëndësia e aktivizimit të lojtarëve në klubet e tyre. Maran u shpreh se shpreson që futbollistët që aktualisht janë pa ekip të sistemohen sa më shpejt, ndërsa për lojtarët që luajnë pak minuta, përfshirë Armando Brojën, theksoi se vazhdimësia është thelbësore për Kombëtaren.
Trajneri paralajmëroi gjithashtu mundësinë e afrimit të emrave të rinj, duke thënë se po vëzhgon futbollistë që nuk kanë qenë pjesë e grumbullimeve të fundit.
Për dy miqësoret e qershorit ndaj Luksemburgut dhe Izraelit, Maran tha se, pavarësisht rezultateve, ato i shërbyen për të kuptuar më mirë skuadrën dhe për të identifikuar elementët që duhet të përmirësohen.
Sa i përket stilit të lojës, italiani kërkon një Shqipëri agresive, luftarake dhe të gatshme për të rifituar topin, duke e konsideruar këtë mentalitet si një nga karakteristikat që duhet të dallojë kuqezinjtë.
Maran pranoi se skuadra përballet me vështirësi, për shkak të ndryshimeve të shumta te lojtarët dhe mungesës së minutave për disa prej tyre, por tha se nuk i sheh këto si justifikime.
“Vështirësitë duhet të japin stimul, forcë dhe akoma më shumë dëshirë për të bërë mirë”, u shpreh ai.
Në prag të ndeshjeve zyrtare, Maran shpreson që Kombëtarja të rikthejë rezultatet pozitive dhe mbi të gjitha të krijojë një skuadër me të cilën shqiptarët të ndihen krenarë.
Mesazhi i trajnerit është i qartë: vendi në Kombëtare nuk garantohet nga emri, por nga forma, minutat dhe ajo që një lojtar tregon në fushë.
