Bota
TERMETI/ VENEZUELA NE GJUNJE, 40 MIJE TE ZHDUKUR
Bilanci i tërmetit shkatërrues të dyfishtë që goditi Venezuelën po rëndohet nga ora në orë. Numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 235, të plagosurit janë mbi 4.300, ndërsa më shumë se 42 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë mes rrënojave në Karakas dhe në La Guaira, një nga zonat më të goditura. Dy lëkundje me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën vendin gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, me vetëm 40 sekonda diferencë nga njëra-tjetra.
Shumë njerëz dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa të tjerë kanë mbetur pa strehë ose kanë frikë të qëndrojnë në ndërtesat e dëmtuara dhe të pasigurta, duke kaluar natën në rrugë pas katastrofës.
Të dy tërmetet ishin të cekëta, i pari kishte epiqendrën në një thellësi prej 20,3 kilometrash nën sipërfaqen e tokës, ndërsa i dyti në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.
Disa vende kanë premtuar ndihmë për operacionet e shpëtimit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një ndihmë prej 150 milionë dollarësh. Ushtria amerikane po dërgon anije transporti dhe avionë për të mbështetur ekipet e kërkim-shpëtimit dhe për të mundësuar “operacione të shpejta të ndihmës”, thuhet në një deklaratë.
Mbi 250 ndërtesa janë dëmtuar ose rrënuar. Aeroporti kryesor ndërkombëtar i Venezuelës, në Maiquetía, në periferi të Karakasit, është mbyllur për shkak të dëmeve të rënda, njoftoi presidentja e përkohshme e vendit.
Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht sanksionet ndaj Venezuelës për të lehtësuar operacionet e ndihmës në zonat e goditura nga tërmeti.
Konkretisht, Uashingtoni ka autorizuar kryerjen e transaksioneve drejt Venezuelës, të cilat zakonisht ndalohen nga sanksionet, me kusht që ato të lidhen me “operacionet e ndihmës humanitare”.
Departamenti i Thesarit i SHBA-ve ka lëshuar një urdhër që lejon këto transaksione deri më 23 tetor 2026.
Që nga arrestimi i ish-presidentit Nicolás Maduro në janar të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar vetëm një numër të kufizuar autorizimesh dhe licencash për shfrytëzimin dhe tregtimin e naftës, në bashkëpunim me presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez. Ky veprim përfaqëson një lehtësim të pjesshëm të regjimit të sanksioneve ndaj Venezuelës.
Pse tërmeti ishte kaq shkatërrues?
Sipas ekspertëve, edhe pse tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 nuk janë të pazakontë në nivel global, kombinimi i disa faktorëve e bëri katastrofën në Venezuelë veçanërisht të rëndë.
Goditja ndodhi në veri të vendit, ku ndodhen zonat më të populluara, përfshirë kryeqytetin Karakas, me mbi dy milionë banorë, dhe shtetin La Guaira, një nga rajonet më të prekura.
Një tjetër faktor vendimtar ishte thellësia shumë e vogël e tërmeteve. Lëkundja më e fuqishme ndodhi vetëm rreth 10 kilometra nën sipërfaqen e Tokës, duke bërë që energjia sizmike të transmetohej pothuajse e plotë në sipërfaqe dhe të shkaktonte shembje masive ndërtesash.
Ekspertët sjellin në vëmendje edhe raste të tjera të fundit, si tërmeti me magnitudë 7.8 në Filipine apo ai me magnitudë 8.8 në Gadishullin Kamçatka të Rusisë, të cilët shkaktuan shumë më pak viktima, kryesisht për shkak se goditën zona më pak të populluara ose ndodhën në thellësi më të mëdha.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave dhe i personave të zhdukur mund të ndryshojë në orët dhe ditët në vijim, pasi shumë zona mbeten ende të paarritshme.