Politike
Vesha për pak çaste këpucët e kryeministrit/ Rama ndan postimin e qytetarit: I carried the storm
Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të mërkurë në rrjetet sociale mesazhin e një qytetari, i cili shpreh vlerësimin e tij për ndryshimet e ndodhura në Shqipëri ndër vite, duke theksuar se ka provuar ta shohë realitetin nga këndvështrimi i kreut të qeverisë.
Në postimin e tij, Rama e cilëson mesazhin si një nga reagimet e shumta që ka marrë gjatë ditëve të fundit, teksa në Tiranë vijojnë protestat e nisura prej më shumë se tre javësh.
Qytetari, i identifikuar në rrjetet sociale si “@mr.elprofe”, shkruan se për pak çaste ka tentuar “t’i veshë këpucët e kryeministrit”, jo për t’i bërë lajka apo për të bindur dikë, por për të kuptuar se si do ta shihte botën nga pozicioni i tij.
Ai thekson se është rritur në një Shqipëri me kushte shumë më të vështira infrastrukturore dhe se do të ishte e padrejtë të mohohej se në vend janë bërë edhe zhvillime pozitive.
Në mesazhin e publikuar nga Rama, qytetari nënvizon se nuk përfiton nga shteti dhe se nuk mbështet verbërisht asnjë figurë politike, por e konsideron reagimin e tij si një përpjekje për të sjellë një këndvështrim ndryshe në debatin publik.
“Do të ishim naivë po të thoshim se nuk janë bërë edhe gjëra të mira. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë është perfekte, as që nuk janë bërë gabime”, shkruan ai, duke shtuar se është i vetëdijshëm se reagimi i tij mund të ngjallë kritika.
Rama e shoqëroi publikimin me urimin për një ditë të mbarë, duke e cilësuar mesazhin si një prej reagimeve më domethënëse që ka marrë gjatë këtyre ditëve.
Në fund të mesazhit, ai thekson se nuk ka përfituar nga shteti shqiptar që prej vitit 1997, nuk është “as i shitur, as i blerë” dhe se nuk mbështet verbërisht askënd, ndërsa përfundon me shprehjen: “I shari shan. I mençuri mendon.”.
Postimi i plotë:
Provova t’i vesh për pak çaste këpucët e kryeministrit.
Jo për t’i bërë lajka. Jo për të bindur askënd.
Thjesht për të parë si do ta shihja unë botën në vendin e tij.
Jam rritur në një Shqipëri ku nuk bëje dot 200 metra pa t’u grisur këpucët.
Do të ishim naivë po të thoshim se nuk janë bërë edhe gjëra të mira.
Kjo nuk do të thotë se çdo gjë është perfekte. As që nuk janë bërë gabime.
Por për sqarim:
Unë nuk ha bukë nga shteti shqiptar që prej vitit 1997.
Nuk jam as i shitur. As i blerë.
Dhe nuk mbështes verbërisht askënd.
Kjo këngë është thjesht një përpjekje për të parë anën tjetër të historisë.
Një kundërrrymë ndaj asaj që dëgjojmë çdo ditë.
E di që do shahem.
Por s’ka problem.
Sepse në fund të fundit:
I shari shan. I mençuri mendon.
I Carried The Storm