Connect with us

Aktualitet

Vijon beteja me flakët në Mallakastër, zjarri ende aktiv në ditën e gjashtë

Në ditën e gjashtë të zjarreve në Mallakastër, disa vatra vijojnë të jenë aktive, duke përfshirë sipërfaqe me pyje, ullishte dhe vreshta. Në momente të caktuara, flakët janë afruar edhe pranë zonave të banuara.

Forcat zjarrfikëse, strukturat e bashkisë dhe ekipet e tjera të angazhuara vijojnë ndërhyrjen në terren për izolimin e vatrave dhe kufizimin e përhapjes së zjarrit.

Prani e zjarrit raportohet në Panahor, Greshicë, Drenie dhe Vlosh, ku ndërhyrja është përqendruar kryesisht në parandalimin e avancimit të flakëve drejt zonave të banuara.

Në Koilaç, zjarri është izoluar, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë monitorimin e terrenit për të identifikuar dhe ndërhyrë në rast të riaktivizimit të ndonjë vatre.

Gjatë mëngjesit, ndërhyrjet kanë vijuar në Panahor dhe Vlosh. Krahasuar me orët e mëparshme, intensiteti i flakëve raportohet më i ulët, por situata mbetet problematike për shkak të sipërfaqeve të përfshira dhe terrenit të vështirë.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë gjashtë ditëve dhjetëra hektarë me pyje, ullishte dhe vreshta janë prekur nga zjarret. Ekipet në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Advertisement