Connect with us

Shkrime

Vjosa Osmani hedh poshtë Albin Kurtin, kërkon afrim me Edi Ramën

“Në fjalimin e saj ne Kuvendin e Kosoves, presidentja Vjosa Osmani kritikoi kryeministrin Albin Kurtin për paaftësinë në ndërtimin e marrëdhënieve me aleatët dhe për nënshtrimin ndaj burokratëve të BE-së dhe VMRO-së. Pasi e quajti atë të dështuar dhe të lidhur me interesa të rrezikshme, ajo tani duket se po kërkon një aleancë më të ngushtë me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke i dhënë keshtu një kthesë të papritur politikës kosovare.” – keshtu ka shkruar ne nje editorial analisti Baton Haxhiu, sipas te cilit  “fjalimi i Vjosa Osmanit në Parlament nuk është vetëm një manifest për mbrojtjen e aleancave, por edhe një sinjal i hapur për fundin e bashkëpunimit të saj me Albin Kurtin”

Sipas Haxhiut, “katër vite heshtjeje dhe përkrahjeje politikave të Kurtit, të cilat sot Osmani i quan “bixhoz” dhe “bukëpërmbysje”, kanë shërbyer më shumë për të thelluar problemet se sa për t’i adresuar ato”.

“Ky reagim nuk duket si shprehje e vonuar e shqetësimit strategjik, por më shumë si një përpjekje për t’u pozicionuar si liderja “shpëtimtare” në një kohë kur Kosova po përballet me rritje të presionit ndërkombëtar dhe me një publik gjithnjë e më kritik ndaj izolimit. Në vend që ajo të udhëhiqte në kohën kur Kurti sfidonte aleatët, Osmani zgjodhi të heshtte; tani, në prag të krizës, ajo zgjedh të flasë, por përplasja nuk është zgjidhje. Ky vertete është një akt i drejtpërdrejtë i kritikave ndaj Qeverisë Kurti, por gjithashtu eshte një distancim që vjen me vonesë” – ka theksuar Haxhiu, sipas te cilit, “Për katër vite, Vjosa Osmani heshti ndërsa Albin Kurti udhëhiqte politikën e Kosovës, dhe tani, në një moment kur asgjë nuk mund të përmirësohet, e quan atë të paaftë për të ndërtuar marrëdhënie me aleatët dhe për të menaxhuar dialogun me BE-në”. Në fund, shkruan analisti politik, ky fjalim tingëllon më shumë si një kalkulim për pushtet, se sa si reflektim i vërtetë i dëshirës për bashkëpunim dhe sukses.

Analisti Baton Haxhiu, duke skanuar fjalimin ne Kuvend te presidentes se Kosoves, e cila kritikoi ashper kryeministrin Kurti për paaftësinë në ndërtimin e marrëdhënieve me aleatët, tha se “përpjekja e Vjosa Osmanit për të kapur momentin e krizës dhe për ta pozicionuar veten si liderja e shpëtimit, është e qartë, por gjithashtu ai shtroi pyetjen nëse kjo ka ardhur kaq vonë, dhe a mund të ketë ende besueshmëri?

Sipas Baton Haxhiut, “Shqetësimet e ngritura nga presidentja për Asociacionin dhe aleancat janë legjitime, por mungesa e sinqeritetit për heshtjen e saj të gjatë ndaj qasjes së gabuar të Kurtit ngre pikëpyetje për qëllimin e vërtetë të këtij fjalimi.

“Nuk është e mjaftueshme të kritikosh bixhozin e Kurtit me aleatët; lidershipi kërkon veprim, përgjegjësi dhe transparencë—atribute që kanë munguar jo vetëm te Kurti, por edhe te vetë Osmani. Por nëse ky është fillimi i një kthese të mirëfilltë, atëherë duhet ta shohim me vepra, jo vetëm me fjalime” – ka shkruar Haxhiu ne nje editorial duke theksuar se “Raportet me Shqipërinë janë një tjetër shembull i lëvizjeve kontradiktore të Vjosa Osmanit”.

“Dikur kritike ndaj Edi Ramës, të cilin e ka përshkruar si një zë të papërshtatshëm për shqiptarët dhe të afërt me Serbinë, sot Osmani po kërkon ndërtimin e një aleance më të fortë me Shqipërinë. Po a mund të ndërtohet miqësi mbi dyshime të heshtura dhe heshtje të zhurmshme” – ka pyetur analisti i njohur.

Sipas tij, fjalimi I presidents se Kosoves është një “kthesë që flet më shumë për nevojën për audiencë sesa për bindje” dhe se “Miqësia e re, në kontrast me akuzat e mëparshme, lë shijen e një kalkulimi politik që nuk i bind të gjithë”.

“Në kohën kur Kosova po përballet me sfida të brendshme dhe presione ndërkombëtare, fjalimi i Vjosa Osmanit reflekton tensionet e akumuluara në skenën politike. Presidentja artikulon një shqetësim të drejtë për aleancat jetike të Kosovës, por toni konfrontues ndaj Kurtit krijon zero rezultat.

T’i quash qasjet e kryeministrit “bixhoz” mund të jetë një strategji për të vendosur distanca, por në këtë fazë krijon polarizim me efekt për askënd. Vjosa Osmani e humbi kohën dhe peshën e fjalisë e zbehu sepse, gjithcka qe ajo tha, e tha me shume shume vonese.

Gjithcka e tha vetëm kur kuptoi se Albin Kurti e poshtëroi duke ia marrë listën e saj Guxo, duke I lene presidentes vetëm guximin e papërdorshëm” – ka theksuar Baton Haxhiu.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka quajtur të vonuara vërejtjet e presidentes Vjosa Osmani ndaj Qeverisë në fjalimin e saj vjetor ne Kuvendin e Kosoves. Sipas tij, edhe presidentja Osmani e ka përkrahur diskursin përçarës të Qeverisë me aleatët e vendit.

“Unë mendoj se janë vërejtje shumë të vonuara ato të presidentes Vjosa Osmani sepse ajo këto po i thotë në fund të mandatit të Qeverise Kurti, teksa nuk i ka thënë asnjëherë deri më tani në tre fjalimet e saj që ka pasur në Kuvend. Unë mendoj se edhe vet presidentja është aktore apo pjesëmarrëse e gjithë gjerave që kanë ndodhur ne marredheniet me ndërkombëtarët sepse deri më tani, Osmani e ka përkrahur këtë kurs të Qeverisë. Ajo ka përkrahur tezën e sovranizmit, bile ka pasur vërejtje edhe në raport me SHBA-të në një farë periudhe. Gjithsesi mirë që është vetëdijesuar më në fund, por kjo nuk do të thotë se pas kesaj, ajo eshte e shfajesuar pasi gjithe ato humbje dhe te gjitha demet i ka pesuar Kosova, teksa Osmani ka qene perkrahese e kursit te gabuar të shumicës parlamentare” – theksoi ish kryeministri Isa Mustafa.

Kryetari i Aleances per Ardhmerine e Kosoves, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që t’i kërkojë falje Kosovës e cila, sipas tij, me koalicionin që ka bere me Albin Kurtin, e ka sjelle kete te fundit ne pushtetin qe sot presidentja e kritikon me të madhe. Sipas Haradinajt, Vjosa Osmani është pjesë e zhvillimeve të dëmshme për Kosoven.

‘’Kam dysimet e mia se presidentja beson në ato qe tha ne fjalimin e saj ne Kuvendin e Kosoves. Ne prej kater vitesh I kemi bere thirrje Vjosa Osmanit që t’i thërras vetëdijes dhe ndërgjegjes, dhe ti tregonte qytetarëve se zhvillimet ne Kosove nuk janë ne rruge te mirë. Por me mirë vonë se kurrë. Eshte luajtur shumë bixhoz dhe pabesi ndaj Kosovës pikërisht nga ky koalicion, nga kjo shumicë të cilës i ka takuar edhe presidentja Osmani. Ajo duhet t’i kërkojë falje Kosovës se pse e ka krijuar një shumicë të këtillë.

Pse e solli dhe e mbajti në pushtet gjithë këto vite Albin Kurtin’’ – deklaroi Ramush Haradinaj.

Kujtojme se presidentja Osmani ne fjalimin e saj para deputeteve kritikoi kryeministrin Albin Kurtin për paaftësi në ndërtimin e marrëdhënieve me aleatët dhe për nënshtrimin ndaj burokratëve të BE-së dhe VMRO-së si dhe eshte shprehur kunder politikave të Kurtit, të cilat Osmani i quajti “bixhoz” dhe “bukëpërmbysje.

Advertisement