Aktualitet
“Vllai kjo punë ka kosto, nga 5 mijë euro për të tre ne”/ Përgjimet që fundosën oficerin e Antiterrorit
Kanë dalë detaje të reja nga operacioni që çoi në goditjen e një grupi kriminal që kryente trafikun e drogës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të BE. Hetimet në Shqipëri u ndoqën nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurori Klodian Braho, ndërsa në pranga ranë disa persona. Gazetari Elton Qyno ka zbuluar dosjen e përgjimeve ku jepet përfshirja e oficerit të antiterrorit Igli Haxhiaj në nxjerje të sekretit, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Haxhiaj u la sot nën masën e arrestit me burg nga Gjykata e Posaçme.
Në kuadër të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.49 viti 2019 kanë ekzistuar të dhëna dhe dyshime se shtetasi shqiptar Dario (Denis) Myftiu, me banim në Durrës, ka zhvilluar aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtimin Shqipëri-Itali, duke organizuar importimin në Itali të ngarkesave të mëdha të lëndëve narkotike të llojit “kokainë” dhe “heroinë”. Kanë ekzistuar dyshime se në realizimin e këtij aktiviteti ai ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë në qytetin e Durrësit, në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal është vendosur lejimi i përgjimit të bisedave dhe komunikimeve telefonike për numrin e telefonit celular nr.069xxxxx në përdorim të Dario Myftiu, si dhe për numrin e telefonit nr.0699788808 në përdorim të shtetasit Asti Llupi lidhje shoqërore e shtetasit Dario Myftiu.
Po kështu, është vendosur lejimi i përgjimit të bisedave ambientale në automjetin e markës Mercedez Benz ML, me targa AA691RE dhe të automjetit të markës Mercedez Benz, model GLE 450, me targa AB638AI, në përdorim të shtetasit Dario Myftiu, si dhe është autorizuar kryerja e përgjimit në vënde publike për shtetasin Dario Myftiu.
Për instalimin dhe realizimin e përgjimeve ambientale në dy automjetet e mësipërme si dhe për kryerjen e vëzhgimeve dhe përgjimeve në vënde publike të shtetasit Dario Myftiu dhe të subjekteve të tjera të këtij procedimi penal, është ngarkuar policia gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Dario Myftiu ka përdorur telefon të koduar me aplikacionin SkyECC, duke u identifikuar me kodin pin 41L8YM. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se kodin pin 41L8YM ka patur komunikime me përdoruesin e kodit pin HY67U7.
Nga veprimet hetimore është arritur në përfundimin se kodi pin HY67U7 është përdorur nga shtetasi Igli Haxhiaj, i cili në kohën e përdorimit të aplikacionit SkyECC ka patur funksionin e oficerit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nga kodi pin HY67U7 që është përdorur nga shtetasi Igli Haxhiaj janë kryer një sërë komunikimesh që lidhen me faktet dhe rrethanat objekt të hetimeve.
1. Midis kodit pin HY67U7 në përdorim të shtetasit Igli Haxhiaj dhe kodit pin 8AIVIH, në datën 05.12.2020, në intervalin kohor 17:08-17:48, janë kryer bisedat si më poshtë.
8AIVIH: Cfar halli ka ky cuni qe mund ta ndihmosh.
I.Haxhiaj: te kam shkruajtur qepar.
8AIVIH: Se jam me kte
I.Haxhiaj: Po ka ca gjera, une cova dike ate dite qe kapen braniolin, po ai shoku doli vone, femijet ja coj nusja.
8AIVIH: Po per kte tani, cfare eshte ajo qe mund ta ndihmojme.
I.Haxhiaj: Besoj ai e di qe ka nje kosto, dhe duhet te jemi ne kontakt me mua qe mos bjer ne sy dhe per mia.
8AIVIH: Cfar halli ka ky kte moment, pse po i rrin nga pas, se po me pyet.
I.Haxhiaj: Ti bejme gjerat sikur ndoshin rastesisht, po u than mihabetetet mbaton pune ai.
8AIVIH: une e kam bere burgun per italiant… aha ok.
I.Haxhiaj: Ne rregull thuaj, ai e di.
8AIVIH: Kete po i them.
I.Haxhiaj: Vllai nqs ai eshte dakort te merremi vesh, dhe pastaj cfare te kete per ate, do e marri vesh, dhe ca ka, po i tham keshtu.
8AIVIH: Ka dicka ne kte moment? Rrezikon
I.Haxhiaj: Po normalisht, une kam gjet momentin qe ta ndihmoje, pa u ngaterruar punet.
Në këtë komunikim të kryer midis shtetasit Igli Haxhiaj dhe përdoruesit të kodit pin 8AIVIH, duke u vlerësuar i lidhur edhe me komunikimet e tjera, bëhet fjalë për shtetasin Dario Myftiu. Shtetasi Igli Haxhiaj në cilësinë e punonjësit të policisë ka patur dijeni që ndaj shtetasit Dario Myftiu ishin duke u kryer përgjime të bisedave telefonike, përgjim të bisedave në automjetin e tij, si dhe vëzhgim në vënde publike.
Për këtë qëllim komunikuesi me pin 8AIVIH e pyet se, “Cfar halli ka ky kte moment, pse po i rrin nga pas, se po me pyet”. Nga ana tjetër, shtetasi Igli Haxhiaj se, “Po ka ca gjera…. ti bejme gjerat sikur ndoshin rastesisht”, duke kuptuar informacionin për veprimet hetimore që janë duke u kryer ndaj shtetasit Dario Myftiu.
Në komunikimin e mësipërm shtetasi Igli Haxhiaj përmënd personin me emrin “Braniol”, për të cilin shpjegon se është kapur. Me këtë emër, i referohen shtetasit Braniol Liço, i cili në kuadër të të njëjtit procedim penal në atë periudhë ka qënë duke u hetuar, si dhe ndaj tij janë kryer veprimet e përgjimeve telefonike dhe në vënde publike. Fillimisht shtetasi Braniol Lico është arrestuar në kuadër të njohjes së një vendimi dënimi të autoriteteve italiane dhe në muajin janar 2023 është arrestuar në kuadër të këtij procedimi penal.
Në bisedën e mësipërme, tregohet se shtetasi Igli Haxhiaj ofron të japë informacionin për veprimet hetimore, në shkëmbim të përfitime monetare, duke u shprehur se, “besoj ai e di që ka nje kosto”.
2. Midis kodit pin 41L8YM në përdorim të shtetasit Dario Myftiu dhe kodin pin HY67U7 në përdorim të shtetasit Igli Haxhiaj, në datën 05.12.2020, në intervalin kohor 20:00-21:06 që është më vonë në kohë se komunikimet e mësipërme, janë kryer bisedat si më poshtë.
I.Haxhiaj: Ca bone.
D.Myftiu: Ca bone ti, mir kalojm, ca bone ti.
I.Haxhiaj: Fola pak me ata shoket, se dhe mire mos me u njof vetem per me dal une, dhe me thane qe kishe meraqe per gjoba gjera, dhe jo vete, nuk behet fjale se une prandaj erdha me ata. Po me sigurove ti qe sme nxjerr neper biseda takohemi dhe bashke, po nuk te kam ardh kot. Kam plot varjante po erdha se te njifnin cunat. Dhe cunat jan garanci qe une sjam pa lidhje tek ty. Sepse keto biseda dihet si jane. Ti alarmohesh dhe gabon dhe padashur.
D.Myftiu: Nai merak nuk kam, po boshim muhabet, por gjithsesi takona nga e hona, se neser jam me kalamojt, dhe pijm nai kafe e diskutojm.
I.Haxhiaj: Vlla po deshe te diskutojme duhet me ardh me mendje te qarte qe po te ndihmoj jo qe po ta fus, se nuk jemi nga ata, mire eshte mos njifemi. Kemi kontakt dhe nqs do une do te te them cdo gje dhe te bashkepunojme mos bisesh ne sy tek te tjeret, se kam hall se do flasesh per mua, dhe merret vesh, por avash avash, jo me te bo nder dhe me gjet qeder.
D.Myftiu: Ca kom me fol spo te kuptoj, ec o vlla takona folim diskutojm, ca mundsish ke me ndihmu, dhe ku jam per tu ndihmu un.
I.Haxhiaj: Une qe te thash dhe per branilin sta thash kot, si cova njeri atij se ai rri dru ne mall, dhe ti e di, dhe une e di. Vlla kjo qe po te them ka ne kosto se sjam vetem une ne kete mes dhe i kam dal une per zot me te ndihmu se te njiftin cuna.
D.Myftiu: Jo di tamom se sesht qe rrin me mu.
I.Haxhiaj: Nuk jemi per lojra fjalesh kot, po, ok vlla, me fal mua se ndoshta te bezeisa vlla, une e pashe si detyrim nga shoket e mi, me fal mua, qe ste takoj eshte vetem mos digjem une, vllai im se kam problem te flas me ty, nqs ti je i qet ma boj hallal se te shqetesova. Djegiq ime vjen se ti do gabosh dhe vij te te ndihmoj dhe skam pse te rrezikoj.
D.Myftiu: Nuk ka lidhje kjo tani, ske pse digjesh si do digjesh.
I.Haxhiaj: Po ka lidhje se po bojm lojna fjalesh vlla, une qe po vij sjam kalamo, erdha per arsye se mendova qe jan muhabetet me te qarta, une po fola ngelem borxh tek te tjeret, se i dola une per zot kesaj pune, digjem se ti je i alarmuar dhe gabon vlla. Kete qellim kisha me te ndihmu, ti je ne rregull… po se sje i qete.
D.Myftiu: Po te them… po deshe te takona te folim ok.
I.Haxhiaj: Vlla kjo pune ka nje kosto dhe po deshe ok po sdeshe ti e di, se vuna dhe shoket ne siklet, dhe po dalin muhabete kot, qe te te ndihmoj dhe ke per ti pa gjojnat vlla. Jemi 3 veta nga 5 mij vlla. Une kam burreri dhe te tregoj gjithcka por duhet ti me bashkpunu dhe mos lon me dyshu qe nga e ke marr vesh. Por do e bejme rastesisht, dmth qe ti e verteton dhe mos biesh ne sy nga e more vesh. Nqs mednos se bohet ok, po mendove se eshte gjobe me fal mua.
I.Haxhiaj: Po vazhdove me iden qe eshte gjob po te them prap qe me fal mua, jo cjo nuk eshte gjob, o vlla miq jemi me te gjithe, kur mendon gjoben je gabim se gjoba nuk vehet mes shokesh. Po varjanse fjalet e shumta fukarallik, ma boj hallal mua qe te bezdisa. Me po na thua per miq dhe burrnia ime eshte kjo, Ti, Nusja, Nona jote, Asti, i keni telefonat ne pergjim dhe bej kujdes kur flet. Nqs do info te tjera bojn lek, kalofsh sa me mire vlla, te rujt Zoti, kjo iahte vetem per shoket, dhurat, noten, nuk eshte gjob, e ke gabim. Nje informacion kudrejt nje pagese, po varja, kaq sa te thashe e ke dhurate nga shoket, kalofsh mire vlla.
Aksioni i përbashkër SPAK-Breshia u zhvillua një ditë më parë, ku masa arrest në burg është caktuar për Vincenzo Bruno, Arlin Buzali, Donald Cala, Gazmend Ferhati, Elton Gjegja, Adriatik Hasa, Erion Kapidani, Oltion Lala, Asti Llupi, Denis Myftiu, Altin Shehaj, Gazmend Shehu, Bledin Doci, Elvis Doci, Juljan Hyka, Eduart Leba, Gentian Shaba, Ogert ShqevI, Denis Tafili, Indrit Tafili dhe Klodian Vata. Ndërsa masa arrëst në shtëpi është lëshuar nga gjykata italiane për Giuseppe Iorio, Erald Salla dhe Enkeleid Tirjaku.
Droga, e importuar nga Amerika e Jugut dhe e transportuar nëpërmjet rrugëve tregtare në portet e Evropës Veriore, u transportua në Itali e fshehur brenda automjeteve të rënda. Autoritetet kanë sekuestruar 550 mijë euro, 10 automjete, një pistoletë dhe 130 kilogramë lëndë narkotike, kokainë dhe heroinë, që në treg do të kishin vlerë rreth 12 milionë euro.