Aktualitet
Vrasja e efektivit/ Dëshmon çobani: Autori merrte telefonata që e paralajmëronin për çdo lëvizje
Aleksandër Kola, çobani i stanit ku fshihej Violand Braçellari, autori i vrasjes së efektivit të Forcave “Shqiponja” Enea Mekolli dhe plagosjes së kolegut të tij Edison Adri ka dhënë dëshminë e tij. Para hetuesve Kola ka thënë se Braçellari merrte gjithmonë telefonata që e paralajmëronin atë për lëvizje të dyshimta në zonë. Ai tregon se kishte nisur punë në Bode tek stani i Braçellarit në mesin e muajit maj të vitit 2026, pasi i ishte ofruar një pagë mujore prej rreth 1200 eurosh për të bërë punën e çobanit.
Sipas tij, Braçellari mbante vazhdimisht me vete një armë automatike kallashnikov dhe një armë gjahu çifte. Në dëshminë e tij, Kola thekson se Braçellari sa herë telefonata që e paralajmëronin për lëvizje të dyshimta në zonë largohej shpesh drejt malit. Madje disa ditë para ngjarjes Braçellari ishte larguar me armë pasi ishte njoftuar se në drejtim të stanit po ngjiteshin automjete të panjohura.
Po ashtu Kola përmend edhe një moment tjetër, që është pikërisht konflikti i tij që ka ndodhur në 3 qershor 2026. Kola ka deklaruar se kishte kërkuar të largohej për disa ditë për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij, por kërkesa ishte kundërshtuar nga Braçellari. Sipas tij, debati u përshkallëzua në fyerje kërcënime dhe dhunë fizike, ndërsa ai pretendon se Braçellari i drejtoi disa herë armën duke e kërcënuar me vdekje.
Më tej, Kola ka deklaruar se është larguar me frikë nga stani, duke marrë me vete sendet personale pasi kishte parë shumë gjëra të dyshimta që i kërcënonin jetën. Pas largimit nga stani, Kola ka bërë kallëzim në polici, që u bë edhe një nga elementët që çuan në organizimin e operacionit për kapjen e Braçellarit.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 4 qershorit, kur shërbimet e Policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, Violand Braçellari. 43-vjeçari ishte i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri 36 vjeç. Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhesi pasojë e shkëmbimit të zjarrit edhe vetë Braçellari ka mbetur i plagosur.