Aktualitet
Vrasja e Nikulajt, ja kur do të mbahet seanca e ekstradimit të britanikëve drejt Shqipërisë
Seanca gjyqësore për ekstradimin e personave që morën pjesë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj do të mbahet më 5 Maj. Sot përpara gjykatës dolën Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan, të cilët u lanë në burg deri sa të jepet vendimi për ekstradimin e tyre. Një zëdhënës i gjykatës britanike tha për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu se gjyqtarja që po merret me çështjen Neeta Minhas e quajti të drejtë kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tyre.
“Gjykatësja e distriktit të Londrës Neeta Minhas e quajti të drejtë kërkesën e Shqipërisë dhe vendosi si masë sigurie arrestin me burg. Sikurse vendosi që seanca e radhës për këtë kërkesë ekstradimi të mbahet me 5 Maj. Gjyqtarja Neeta Minhas refuzoi aplikimin për liri me kusht nga mbrojtja e Thomas Mithan”, tha zëdhënësi i gjykatës.
Vrasja e Nikulajt u zbardh disa ditë më parë. Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku njoftoi se gjithçka ishte planifikuar nga vëllezërit Lestakaj, me të cilët Nikulaj ishte në hasmëri që prej vitit 1997. Dyshohet se Lestakajt kishin paguar një skuadër të huajsh për të ardhur për të kryer vrasjen. Sipas të dhënave të PSH-së, në rolin e ekzekutorit ishte portugezi Ruben Saraiva, ndërsa katër britanikë ishin vëzhgues. Ata janë identifikuar si: Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman. I gjithë ekipi menaxhohej nga Edmond Haxhia, djali i dajës i vëllezërve Lestakaj.