Kronike
Vrau babanë pasi i ekzekutoi nënën, arrestohet Klementin Islamaj!
Policia e Sarandës ka bërë sot ekzekutimin e vendimit duke arrestuar shtetasin Klementin Islamaj 43 vjeç banor i fshatit Shalës, bashkia Konispol.
Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë e ka dënuar 43-vjeçarin me 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Bëhet fjalë për ngjarjen e datës 10 gusht 2024 në familjen Islamaj në Shalës të Konispolit, ku sipas informacioneve të ditës së ngjarjes ka qenë 69-vjeçari Hysen Islamaj, babai i Klementin, i cili pasi kish vrarë 66-vjeçaren Shano Islamaj, kanosi e më pas qëlloi edhe mbi të birin, që atëherë ishte 41 vjeç.
Nga hetimet e ditës së ngjarjes dhe nga dëshmia e vetë Klementin Islamaj rikujtojmë të ketë thënë:
“Në pjesën e dyshemesë ku ndodhej dhe trupi i nënës time ishte me shumë gjak. Në këtë moment kam parë se në korridor nga kuzhina e banesës erdhi babai im Hysen Islamaj ku, në dorën e djathtë mbante një gotë qelqi të tejdukshëm dhe sapo u ndodh përballë meje, unë i fola, duke i thënë “se çfarë kishte bërë” dhe ai m’u përgjigj: “Se çfarë desha e bëra, tani e keni radhën ju” dhe menjëherë pas këtyre fjalëve, më ka goditur me gotën që mbante në dorë në pjesën e fytyrës dhe hundës, por pa e lëshuar gotën nga dora. Në këtë moment, duke mos parë dhe fëmijët aty, jam trembur se dhe fëmijëve mund t’u kishte ndodhur e njëjta gjë.
Nga ky moment, jam tronditur shumë ku jam munduar t’i shmangem babait, shumë i tronditur nga ajo se çfarë pashë dhe mosgjetja e fëmijës, e kam qëlluar me grushta dhe shkelma babain, por nuk kam përdorur asnjë lloj sendi kur kam goditur babain. Pashë që babai është rrëzuar dhe kishte akoma shenja jete; në moment jam kthjelluar disi ku jam bërë pishman për goditjet e mija ku i kam dhënë dhe ndihmë për ta kthyer trupin me shpinë nga toka duke qenë se ai, kur u rrëzua, ra me brinjë gati përmbys.
Pas kësaj, kam shkuar brenda në shtëpi për të parë nëse nëna ime ishte në jetë apo jo. Kur u afrova tek trupi i nënës, pashë që ajo po jepte frymën e fundit dhe një moment nuk reagoi më. Menjëherë pas kësaj, kam dalë në oborrin e banesës dhe kam thirrur me zë të lartë për njoftimin e ambulancës,” ka dëshmuar mes të tjerave ai.
Edhe tani pas pothuaj 2 vitesh nga ngjarja e rëndë mësohet se 43-vjeçari Klementin Islamaj ndodhet në gjendje shumë të rënduar psikike.