Connect with us

Kronike

Turisti i vrarë shtetas portugez, arrestohet një polic dhe shpallet në kërkim pronari i “Principotes”

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Ksamil, ku një turist i huaj humbi jetën pas një konflikti në ambientet e kompleksit “Principote”.

Ndryshe nga informacionet e para, Policia ka sqaruar se viktima nuk ishte shtetas francez, por portugez. Ai është identifikuar si Luis Miguel Varela Mendes, i datëlindjes 27 shtator 2005.

Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar 38 persona, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar përgjegjësinë dhe rolin e secilit person të përfshirë apo dëshmitar të ngjarjes.

I dyshuari kryesor për vrasjen është 29-vjeçari Sokrat Vata, i cili punonte si truprojë në kompleksin “Principote” përmes kompanisë së sigurisë “Elite Security”. Sipas të dhënave paraprake, në të njëjtin kompleks punonte si bodyguard edhe 24-vjeçari Moisid Matushaj.

Dyshohet se konflikti nisi gjatë një feste në klubin e natës “La Guerre”, pjesë e kompleksit “Principote”, ku viktima ndodhej së bashku me miqtë e tij. Pas përplasjes, Mendes dyshohet se është nxjerrë jashtë ambienteve të lokalit dhe është goditur me thikë në pjesën pas “beach bar”-it.

Pas ngjarjes, Sokrat Vata është larguar nga vendi i krimit. Rreth pesë orë më vonë, ai u lokalizua në Levan të Fierit, teksa dyshohet se po tentonte të largohej drejt Tiranës i fshehur në bagazhin e një automjeti.

Në automjet ndodheshin një grua 31-vjeçare dhe një burrë 38-vjeçar, të dy shtetas turq. Roli i tyre është tashmë pjesë e hetimit, ndërsa policia po verifikon nëse ata kanë ndihmuar të dyshuarin të largohej pas ngjarjes dhe në çfarë rrethanash ai përfundoi në automjet.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është ndalimi i 24-vjeçarit Moisid Matushaj, banues në Gjirokastër. Matushaj është punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën pas vrasjes, duke lehtësuar largimin e tij nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim 36-vjeçarin Bekim Bulica, pronar i “Principote”. Sipas hetimeve paraprake, Bulica dyshohet se ka qenë në vendngjarje dhe më pas është larguar në drejtim të Tiranës. Autoritetet po verifikojnë rolin e tij dhe rrethanat e largimit.

Hetuesit po analizojnë gjithashtu dëshmitë dhe pamjet e sigurisë, ndërsa pritet që hetimi të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë që kanë qenë të pranishëm në ambientet e kompleksit.

Policia sqaroi se viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez për shkak të të dhënave paraprake, por pas gjetjes së dokumentit të identifikimit u konfirmua se ai ishte shtetas portugez.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej personave të përfshirë.

Advertisement