Kosova
Vuçiç kërcënoi me rrjedhën e Ibrit/ Prishtina: Lojë e rrezikshme
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Gjatë Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës, Haxhiu e cilësoi idenë si “absurde” dhe “kërcënuese”, duke kërkuar që deklaratat e presidentit serb të marrin vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas Haxhiut, sistemi Ibër-Lepenc dhe liqeni i Ujmanit kanë rëndësi strategjike për Kosovën, pasi lidhen me furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe nevojat e një numri të madh qytetarësh.
Ajo argumentoi se përdorimi i burimeve ujore si mjet presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe kërkoi reagim ndërkombëtar ndaj çdo nisme që mund të ndikojë në funksionimin e këtij sistemi.
Reagimi i saj erdhi një ditë pasi Vuçiç deklaroi se Serbia ka nisur të ndërmarrë hapa konkretë për shqyrtimin e mundësisë së ndryshimit të rrjedhave ujore. Sipas presidentit serb, për këtë çështje janë angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe përfaqësues të sektorit të ndërtimit.
Vuçiç ka argumentuar se iniciativa lidhet me menaxhimin e rrjedhave ujore në territorin e Serbisë dhe ka mohuar se qëllimi është kërcënimi ndaj Kosovës.
Deklaratat e dy palëve rikthejnë në vëmendje çështjen e menaxhimit të burimeve ujore në zonën e Ibrit, një çështje me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe që mund të ketë edhe dimensione politike e strategjike në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.