Kosova
Vuçiç mes frikës dhe izolimit/ Mësime persiane dhe skenari i luftës në Ballkan
Koncepti i “botës serbe”, nga i cili ai kurrë nuk është distancuar qartë, përfaqëson vazhdimësinë e politikës së Serbisë së Madhe, së cilës Aleksander Vucic i ka shërbyer me besnikëri që nga koha e formimit të tij politik. Një politikë e tillë nuk sjell stabilitet, por prodhon vazhdimisht mosbesim dhe konflikte.
Në përpjekje për të zgjatur qëndrimin në pushtet, Vuçiçi ndërton vazhdimisht kërcënime të jashtme, duke paraqitur pretendime të pabazuara për plane të supozuara të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës për të sulmuar Serbinë. Edhe pse nuk ekzistojnë kushte as ushtarake dhe as politike për skenarë të tillë, ato në narrativën e brendshme paraqiten si pothuajse të sigurta. Në të njëjtën kohë, akuzat për plane agresive të fqinjëve plotësohen me teori për “revolucione me ngjyra” dhe ndikime të huaja, duke thelluar më tej atmosferën e frikës dhe izolimit.
Një diskurs i tillë politik, edhe pse në shikim të parë duket grotesk, në afat të gjatë ka pasoja serioze: ai e largon Serbinë nga rajoni, nga Evropa dhe nga një vlerësim racional i interesave të veta. Pikërisht këtu qëndron rreziku i “skenarit iranian” në Ballkan – jo në identitetin e rrethanave, por në modelin e sjelljes politike që çon drejt vetëizolimit.
Një zhvillim i tillë i përshtatet para së gjithash Moskës, së cilës i konvenon një Ballkan i paqëndrueshëm dhe Serbia si instrument presioni rajonal.
Mbetet të shihet se si do të reagojë Kremlini ndaj devijimeve të herëpashershme të Vuçiçit nga besnikëria e pritur.
Përvoja, megjithatë, tregon se manovra të tilla shpesh “kompensohen” me lëshime në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare. Për këtë arsye, Serbia sot ndodhet në fund të procesit të integrimeve evropiane dhe mbetet e vetmja vend i rajonit që këmbëngul në neutralitet ushtarak, pas të cilit, në praktikë, shpesh fshihet varësia politike.