Connect with us

Kosova

Vuçiçi është më i rëndësishëm se Kosova/ Biber shpjegon afrimin Kiev-Beograd

Profesori i Universitetit të Grazit dhe eksperti për Ballkanin Perëndimor, Florian Biber, ka komentuar afrimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiç, duke argumentuar se për Kievin aktualisht prioriteti kryesor është sigurimi i mbështetjes dhe municioneve për luftën ndaj Rusisë.

Sipas Biber, Ukraina ndodhet në një situatë ku nuk ka mundësi të angazhohet në çështje që nuk lidhen drejtpërdrejt me nevojat e saj strategjike. Në këtë kontekst, ai vlerëson se Vuçiçi është aktualisht më i rëndësishëm për Zelenskyn sesa çështja e Kosovës, pavarësisht qëndrimit të Beogradit ndaj Rusisë dhe refuzimit për vendosjen e sanksioneve.

Biber e sheh afrimin mes dy presidentëve edhe në funksion të interesave të Vuçiçit. Sipas tij, presidenti serb po përpiqet të forcojë pozicionin e tij në raport me Bashkimin Evropian, në një kohë kur Beogradi po përballet me kritika për situatën politike, protestat antiqeveritare dhe shqetësimet mbi standardet demokratike në Serbi.

Vizita e Zelenskyt në Beograd ka sjellë ndërkohë reagime të forta në Prishtinë. Gjatë qëndrimit në Serbi, presidenti ukrainas konfirmoi se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, një qëndrim që shkaktoi reagime nga institucionet dhe zyrtarët kosovarë, si dhe polemika të reja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në këtë situatë, analiza e Biber e vendos afrimin Zelensky-Vuçiç kryesisht në kuadrin e interesave të luftës së Ukrainës dhe përpjekjeve të Kievit për të siguruar mbështetje materiale, ndërsa çështja e Kosovës mbetet një nga pikat më të ndjeshme të politikës së jashtme në rajon.

Advertisement