Politike
Wendt u konfirmua nga Senati si ambasador në Shqipëri, reagon Ambasada Amerikane në Tiranë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas konfirmimit të gjenerallejtënantit në pension Eric Wendt si ambasadori i ardhshëm amerikan në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane e ka uruar Wendt për detyrën e re dhe ka shprehur pritshmërinë për mbërritjen e tij në Tiranë.
Në mesazhin e saj, ambasada thekson se gjatë mandatit të tij në Shqipëri, Wendt do të fokusohet në mbështetjen e vizionit të Presidentit Donald Trump për sigurinë e përbashkët, forcimin e NATO-s dhe krijimin e marrëveshjeve të drejta për bizneset amerikane.
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit, në pension, Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri!”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Më tej, përfaqësia diplomatike amerikane shprehet se pret me kënaqësi ardhjen e Wendt në Tiranë, duke nënvizuar tre prioritete kryesore: sigurinë e përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëdhënie ekonomike të bazuara në marrëveshje të drejta për bizneset amerikane.
Emërimi i Wendt vjen në një periudhë kur marrëdhëniet SHBA-Shqipëri mbeten të lidhura ngushtë me çështjet e sigurisë, angazhimin në NATO dhe bashkëpunimin ekonomik e strategjik mes dy vendeve.