Connect with us

Bota

Witkof dhe Kushner u akuzuan si fytyra të pabesisë/ Gjinishi tregon kush po negocion për paqen

Analisti Ermir Gjinishi duke komentuar 15 pikat e propozuara nga SHBA dhe 5 pikat e Iranit u shpreh se palët po shkojnë drejt negociimit dhe palë negociuese janë 4 vende myslimane.

“Gjatë gjithë kohës kemi patur qëndrime të dyanshme të presidentit Trump dhe të Shtëpisë së Bardhë. Nga njëra anë bën thirrje për armëpushim dhe zgjidhje të shpejta dhe nga ana tjetër ka përdorur presione. Në politikë kjo njihet si shkopi dhe karota. Jemi në moment delikat, në përfundim të 4 javëve të konfliktit, që ishte menduar të mbyllje për 3-4 ditë. Mediat amerikane kanë thënë pse dështoi plani 3-4 ditësh për përmbysjen e regjimit dhe sipas tyre, ishte Mossadi që i kishte bindur amerikanët se 3-4 ditë sulme ndaj lidershipit ushtarak dhe politik do të bindnin Iranin që të dorëzohej, por kjo nuk ndodhi dhe dolën të gabuara.

Pas ultimatumit të presidentit Trump për goditjen e kapaciteteve energjitike të Iranit u lanë 5 ditë afat reflektimi, një lloj armëpushimi, edhe ky i paplotë, sepse ka patur gjatë kësaj kohe sulme të pafundme, por flitet se SHBA-të nuk kanë qenë të angazhuara, vetëm Izraeli dhe Irani.

Projekti i paqes nuk është bërë akoma zyrtar. Janë 15 pika që i kemi diskutuar që në fillim. SHBA kërkojnë të ndalohet projekti bërthamor, 3 impiante të mëdha, Natanzi, Isfahani dhe Fordo të mbyllen plotësisht për pasurimin e uraniumit. Është kufizimi i raketave të Iranit, jo shkatërrimi. Një tjetër çështje është kufizimi i ndikimit që ka patur Irani te milicitë në rajon si Hezbollah, apo Hamasi. Një tjetër çështje është menaxhimi i Ngushticës së Hormuzit.

Kush do të bëjë? Presidenti Trump tha unë dhe ajatollahu i ri do ta marrim Hormuzin në administrim.

Një tjetër pikë është dorëzimi i uraniumit të pasuruar 450 kg për të prodhuar 10-12 koka bërthamore, që nuk ka gjasa që Irani ta dorëzojë.

SHBA propozuan 1 muaj armëpushim dhe heqjen e sanksioneve ekonomike që do të ndihmojnë Iranin nga ana ekonomike.

Ka patur debat të madh se Irani ka refuzuar të negociojë me Witkof dhe Kushner se i ka akuzuar si fytyra të pabesisë dhe të gënjeshtrës sepse ata ishin dy negociatorë të palës amerikane para nisjes së sulmeve në shkurt dhe kur këta po diskutonin, Irani u godit. Iranianët e shikojnë Kushnerin jo vetëm si dhëndrin e Trumpit, por edhe si një mjet të Izraelit për ta tërhequr SHBA-në në konflikt dhe bashkë me Ëitkof janë të njohr për lidhjet e tyre me lobet sioniste. Pra ata janë krizë besimi për Iranin se shikohen si syri i Izraelit. Iranianët kanë kërkuar për bisedime zv/presidentin JD Vance.

Ka patur një vendimarrje në Këshillin e Sigurimit që dënon sulmin e Iranit në rajon, janë 200 miliardë dollarë shtesë për Pentagonin dhe rreziku i bombardimit në Busher dhe Rusia e menaxhon dhe u bombardua 2-3 herë në periferi dhe mund të ndodhë si në Çernobil.

Me sa duket palët po vijnë drejt tavolinës së negociimit. Është shumë e çuditshme që OKB, vendet e NATO-s, apo G7 tentuan që të jenë negociatorë, por mesa duket katërshja Arabi Suadite-Egjipt-Turqi dhe Pakistan duket se ia doli dhe medohet se nga fundi I javës ne mund të kemi takimin e parë në Islamabad të Pakistanit’- tha Gjinishi.

Advertisement