Connect with us

Kronike

Zbardhet dëshmia e Filip Shehut, pas vrasjes së kolegut: Vuaj nga depresioni, marr ilaçe, e humba mendjen kur më shau

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dëshmia e Filip Shehut, autorit të vrasjes së picierit 28-vjeçar, Indrit Islamllari, në ambientet e restorantit “City Lounge” në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 tetor 2025, rreth orës 15:30, gjithçka nisi nga një debat i vogël për një vasketë me proshutë krudo që kërkohej nga një punonjëse e kuzhinës, e quajtur Zamira.

Në dëshminë e tij përpara grupit hetimor, Filip Shehu ka treguar se prej disa muajsh kurohej nga një psikolog në Tiranë, pasi vuante nga depresioni dhe kishte probleme me kujtesën. Ai thotë se përdorte rregullisht ilaçe për përmirësimin e memories dhe antidepresivë, të cilat ia kishte përshkruar një mjek psikiatër me klinikë pranë “1 Majit”, afër Urës së Tabakëve.

Shehu punonte në “City Lounge” prej vetëm shtatë muajsh, si përgatitës brumi dhe picier. Ai tregon se gjatë muajve të parë marrëdhënia me kolegun e tij, Indrit Islamllari, kishte qenë e qetë, por kohët e fundit, sipas tij, Indriti e ofendonte shpesh dhe e trajtonte me përbuzje.

Në rrëfimin e tij, Shehu thotë se Indriti e fuste në debate të vazhdueshme gjatë orarit të punës dhe e fyente për mënyrën si e kryente detyrën. Ai shton se ka tentuar gjithmonë të shmangte konfliktet dhe të mos reagonte, edhe kur Indriti e shante para stafit të tjerë apo në praninë e menaxheres dhe pronarit të lokalit.

Sipas Shehut, i ndjeri kishte pasur konflikte edhe me punonjës të tjerë, por situata mes tyre ishte përkeqësuar veçanërisht në dy-tre muajt e fundit.

Zamira punonjëse e kuzhinës kishte kërkuar pak proshutë për përgatitjen e disa antipastave, por Indriti refuzoi t’ia jepte, duke i thënë me nerva: “Nuk ka, prije vetë!”. Në atë moment, Filipi ndërhyri dhe u ofrua ta ndihmonte duke i thënë: “Do ia jap unë, e pres vetë.”

Kaq ka mjaftuar që debati të përshkallëzohej. Sipas Shehut, Indriti reagoi me ton të ashpër dhe i tha: “Jo, s’ke për t’ia dhënë!”, ndërsa kur Filipi insistoi, ai e kapi me forcë vaskën dhe e ofendoi rëndë duke i thënë: “Unë të q… rropt.”

Pas kësaj fyerjeje, Filip Shehu thotë se “humbi kontrollin”. Ai mori një thikë që ndodhej mbi banak dhe e goditi Indritin tre herë, në gjoks dhe bark, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas krimit, Shehu tregon se vendosi menjëherë thikën pranë lavamanit, shkoi në tualet për t’u ndërruar dhe më pas qëndroi në vendngjarje në pritje të policisë. Ai është arrestuar pa rezistencë.

Në fund të dëshmisë së tij, 34-vjeçari është shprehur i penduar për veprimin, duke pranuar se nuk duhej të kishte reaguar në atë mënyrë.

“Jam shumë i penduar. Duhej të isha larguar nga puna në vend që të arrija në këtë pikë. Ai më ofendonte vazhdimisht, por këtë herë nuk munda ta përmbaj veten,” ka deklaruar Shehu.

Hetuesit po verifikojnë dëshminë e autorit dhe po marrin në pyetje punonjësit e tjerë të lokalit për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Sipas burimeve, në momentin e vrasjes në ambient ndodheshin disa punonjës të tjerë, përfshirë edhe menaxheren, të cilët pritet të japin dëshmi për tensionet që kishin kohë që ndizeshin mes dy kolegëve.

Ngjarja tronditi kryeqytetin, duke rikthyer në vëmendje problemet e shëndetit mendor dhe mungesën e mbështetjes për punonjësit që përballen me stres, bullizëm apo tensione në vendin e punës.

Advertisement