Connect with us

Aktualitet

Zbardhet dëshmia e kamarierit që u dhunua nga djemt e pronarit: Më kërcënuan se do më zhduknin trupin

Dëshmia e kamarierit 18-vjeçar Genti Nela, i cili u dhunua nga pronarët e hotelit ku punonte në Golem është zbardhur. Para autoriteteve, Nela ka treguar se kishte filluar punë në banak në datën 10 korrik, por në datën 27 gusht dëshironte të largohej nga puna, pasi do fillonte diku tjetër.

Sipas dëshmisë, ky vendim i tij nuk u prit mirë nga vëllezërit, të cilët e qëlluan me tavëll qelqi, e më pas me grushte si dhe e kanë kërcënuar. Për të shmangur 4 agresorët, Nela thekson se ka qëlluar njërin prej tyre me gotë në kokë e më pas me grusht, për të ikur më pas me vrap.

Ai thekson se edhe pas largimit, është ndjekur me vrap nga 4 personat e përfshirë në konflikt dhe është dhunuar nga ata.

Dëshmia e plotë e banakierit 18 vjeçar:

Më datë 10.07.2026 kam filluar punë si banakier në hotelin “FLAR”, në zonën e Malit të Robit. Për fillimin e punës kam biseduar me Florian dhe Arbër Habilaj. Më datë 27.08.2026 u kam kërkuar pagën, pasi kisha vendosur të largohesha nga puna dhe të punoja diku tjetër.

Në momentin që i kam thënë këtë, të pranishëm kanë qenë Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë.

Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në ftyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha. Ata më kishin bllokuar rrugën dhe vazhdonin të më godisnin.

Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin. Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre.

Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish.

Si ndodhi ngjarja?

Një konflikt për pagesën e punës përfundoi me dhunimin e një kamarieri 18-vjeçar në zonën e Golemit. 18-vjeçari Genti Nela punonte si kamarier në një hotel në Malin e Robit, por u dhunua djemtë e pronarit të hotelit dhe shokët e tij për shkak se kërkoi pagesën për punën e bërë. Për ngjarjen janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim. Pas dhunimit, 18-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavajës për të marrë ndihmë mjekësore. Pas ngjarjes xhaxhai i të riut, Melison Nela u nis drejt hotelit i armatosur, me qëllim hakmarrjen. Por Policia e ndaloi pranë hotelit dhe gjatë kontrollit në automjet i gjeti në një çantë një kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.

Advertisement