Connect with us

Kosova

Zelensky mbyll derën për Kosovën, shpërthen Maliqi: Rezultat i kapadiut Albin Kurti

Deklarata e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrim për mosnjohjen e Kosovës ka ndezur debat në Prishtinë. Analisti politik Agon Maliqi e sheh këtë si pasojë të mungesës së një strategjie të qëndrueshme diplomatike të Kosovës, duke argumentuar se një mundësi për ndryshim të qëndrimit të Kievit ka ekzistuar gjatë administratës Biden.

Maliqi argumenton se periudha e administratës së Joe Biden ishte momenti kur Prishtina mund të investonte më shumë diplomatikisht në këtë drejtim, por kjo mundësi nuk është shfrytëzuar.

Sipas tij, sot situata është më e ndërlikuar, pasi Ukraina ka ndryshuar disa prej prioriteteve të saj strategjike dhe ka nevoja të tjera urgjente, veçanërisht në raport me furnizimet ushtarake.

Në këtë kontekst, Maliqi vë në dukje edhe marrëdhëniet e Serbisë me Ukrainën, duke theksuar se Beogradi ka ofruar armë, si dhe mbështetje në fusha të tjera, përfshirë inxhinierë dhe mjekë.

Analisti është shprehur veçanërisht kritik ndaj Prishtinës, duke argumentuar se Kosova nuk mund të presë rezultate diplomatike nëse nuk investon kapital politik në marrëdhëniet me shtetet që mund të ndikojnë në interesat e saj.

Maliqi e konsideron mungesën e një angazhimi të tillë si pjesë të një politike të jashtme që, sipas tij, ka shpërfillur aleatët dhe se çështja nuk lidhet vetëm me vendimin e Kievit.

“Kosova as nuk ka pse habitet pasi nuk ka investuar kapital politik për rezultat tjeter e as që ka treguar interesim përtej retorikës publike mbështetëse. Sot thjesht po e korrim frytin e një politike të jashtme shpërfillëse ndaj aleatëve. Marrëdhënia me Ukrainën mund të ndërtohej edhe përmes Shqipërisë, Turqisë, Britanisë, por Kosova udhehiqet nga një kapadai” – ka deklaruar Agon Maliqi

Advertisement