Connect with us

Shkrime

Zelensky në oborrin e Vuçiçit/ Rama, aventurier dhe argat i Serbisë, ka anashkaluar Kosovën

Nga Agim Nesho

Deklarata e fundit për qëndrimin e Zelenskit në Beograd kundër njohjes së Kosovës u paraqit nga shtypi pro-qeveritar me shënimin se është deklaratë e shtetit Shqiptar. Po cilit shtet Shqiptar? Atij që ka mbaruar së ekzistuari 13 vite më parë dhe sot është pronë private e kryeministrit Rama?! Një aventurier politik që nuk lë gjë pa diskutuar dhe dhënë mendimin e tij në rrjetet sociale, pa pritur prononcimet dhe aktet zyrtare të institucioneve, ka frikë të zemërojë dy miqtë e tij, Vuçiç dhe Zelensky, për Kosovën që ai ka kohë që e ka braktisur.

Ku ishte shteti Shqiptar kur Rama mori doktrinën e politikës së jashtme të Turqisë si strategji të politikës së jashtme të Shqipërisë?

Ku ishte dhe është shteti Shqiptar kur negociojmë për marrëveshjen e detit dhe mbetemi peng të veprimeve klienteliste të Kryeministrit Rama?

Ku është shteti Shqiptar kur Rama përkrah i nënshtruar, në rolin e një argati të Vuçiç, çdo projekt anti-kombëtar të vetë-servirur nga nacionalistët serbë për të realizuar dominimin serb në Ballkan?

Deklarata për qëndrimin e Zelenskit në Beograd për mos njohjen e Kosovës nuk ishte deklaratë e një shteti serioz që i prekin cështjen kryesore kombëtare, por ajo e një qeverie të shitur që “lufton për paqe dhe stabilitet në Ballkan”, për të treguar se nuk jemi nacionalistë dhe ne jemi plastelinë që merr formën që i kërkojnë, duke përfshirë edhe tolerimin për oreksin e nacionalizmit primitiv serb për të sakrifikuar dhe ndarë Kosovën.

Zelenski në Beograd ka bërë gafën më të madhe të pafalshme ndaj Kosovës dhe tregoi mosmirënjohje të thellë ndaj popullit heorik dhe liridashës Shqiptar, kur që ditët e para ka përkrahur Ukrainën e lirë, strehoi gazetarët dhe mori për të ndihmuar dhe strehuar ukrainasit e shpërngulur nga lufta. Dihej që Vuçiç e përdori vizitën e tij për ti dhënë një mesazh Brukselit për politikën e tij të jashtme, por Zelenski nuk duhet të kishte lejuar të përdorej nga Vuçiç si një plaçkë pa vlerë, sic është mësuar të sillet me artistin tjetër ballkanik, Edi Ramën.

Zelenski nuk do të guxonte, edhe për arsye pragmatike, të bënte një deklaratë të tillë në qoftë se nuk kishte përkrahjen e Ramës. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe mund të mos jepte konsensusin e saj për cdo gjë që lidhet me Ukrainën. Për më tepër, që Shqipëria për dy vjet në Këshillin e Sigurimit ka shërbyer si bashkë-penëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbrojtje të cështjes së Ukrainës.

Në këto kushte qëndrimi i Zelenskit është një provokim ndaj të gjithë shqiptarëve, kur shqiptarët e kanë ndihmuar Ukrainën pavarësisht se ajo nuk e ka njohur Kosovën. Mbi të gjitha ka provokuar shtetin Shqiptar.

Deklarata në emër të shtetit Shqiptar i duhej Ramës për të justifikuar veprimin anti-kombëtar për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, duke i marrë të drejtën e reciprocitetit diplomatik Republikës së Kosovës për konsullatën shqiptare në Bujanovc.

Përpjekja për të anashkaluar Kosovën sot është rikthyer në axhendën Rama-Vuçiç dhe planet e autokratëve për mbijetesën e regjimeve të tyre kriminale.

Dhe ato institucione që përfaqësojnë shtetin shqiptar, si Presidenca dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, të mos vazhdojnë të lëpihen dhe servilosen por të mbrojnë Kushtetutën dhe politikën kombëtare.

Dhe së fundi, diçka për shtetin Shqiptar në qoftë se ekziston jashtë fustanellës së Edi Ramës. Të unifikojë strategjinë kombëtare të politikës së jashtme dhe të dënojë projektet famëkeqe të shovinizmit serb dhe të distancohet hapur për Ballkanin e Hapur që nuk ka vdekur. Kjo fillon me dënimin e genocidit të ushtruar nga regjimi i Milosheviçit në Kosovë. Rezoluta është paraqitur, ju vetëm votojeni!

Advertisement