Kosova
Zgjedhje të reja apo “qeveria” e Konjufcës?
Njohësit e çështjeve politike sqarojnë gjasat që ka Konjufca për të formuar Qeverinë e re, si dhe mundësinë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka mandatuar Glauk Konjufcën si mandatarin e radhës të Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re. Megjithëse emri është ndryshuar nga kjo lëvizje, ish-opozita ka bërë të ditur se nuk do ta votojë as Konjufcën për formimin e qeverisë.
Vetë Konjufca deklaroi para gazetarëve se, në rast të formimit të qeverisë së re, ajo do të jetë afatshkurtër, pasi sipas tij, Kosova duhet t’i miratojë disa projektligje të rëndësishme, si ai për buxhetin dhe ai për Planin e Rritjes nga Bashkimi Evropian.
Njohësit e çështjeve politike po vlerësojnë se me mandatimin e Konjufcës në Kosovë është paraqitur një sfidë e re institucionale dhe politike.
“Çështja Konjufca nuk përfaqëson një kompromis politik, siç po tentohet të paraqitet në opinionin publik, por më tepër një kalkulim strategjik i mirëmenduar i Lëvizjes Vetëvendosje – një qasje tashmë e njohur për opinionin tonë politik. Strategjia në fjalë mund të krijojë përshtypjen e një lëvizjeje të mençur taktike, por pasojat e saj për funksionimin institucional të Kosovës dhe për qytetarin e saj pritet të bëhen të dukshme dhe të ndjeshme në një periudhë të afërt”, thotë Maloku për AP.
“Por ky reflektim nuk është përcjellë me përmbushjen e plotë të kushteve demokratike, çka ndodh kur mungon vota, pra një koalicion që do të siguronte suksesin përkatës në Kuvendin e Republikës”.
Sipas Malokut, ish-opozita ka krijuar terrenin që të mendohet se me Konjufcën do të mund të formohet Qeveria e re e vendit.
“Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, secila në rrethanat dhe motivimet e veta politike, me mbështetjen e dhënë për zgjedhjen e kryetarit aktual të Kuvendit dhe për nënkryetarin e pestë, në mënyrë të tërthortë kanë krijuar hapësirë besueshmërie për Lëvizjen Vetëvendosje, duke lënë të mendohet se përmes figurës së Konjufcës mund të sigurohet mbështetja e nevojshme për formimin e qeverisë së planifikuar”.
Qëndrim Hoxha nga organizata “LDA Europe” thotë se situata aktuale politike është mjaft delikate dhe se pritet të paraqitet një sfidë e re bazuar në këto rrethana.
“Formimi i një qeverie të re nën mandatarin Glauk Konjufca, në kushtet kur ish-opozita deklaron se nuk do ta mbështesë, paraqet një sfidë të re institucionale dhe politike, e cila gjasat i ka të mos prodhojë ndonjë ndryshim thelbësor në skenën politike”, sqaron Hoxha për AP.
Ai shton se kjo rrugë dërgon vetëm drejt zgjedhjeve të reja.
“Tashmë është e qartë se, nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme në Kuvend për votimin e qeverisë së re, skenari më i mundshëm mbetet dështimi i votimit dhe hapja e rrugës për zgjedhje të reja”.
Por, Hoxha potencon se duhet të ketë sërish gatishmëri për marrëveshje politike para se Kosova të hyjë në krizë institucionale.
“Nëse ndodh një proces i tillë, gjithçka do të varet nga gatishmëria e subjekteve politike për kompromis dhe për ndërtimin e një konsensusi minimal institucional, në mënyrë që vendi të mos futet në një cikël të ri krizash. Megjithatë, edhe në rast të zgjedhjeve të reja, personalisht nuk pres stabilitet politik deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së presidentit”.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë kësaj jave kanë deklaruar se nuk do të votojnë për formimin e qeverisë nën drejtimin e Konjufcës. Ndërkaq, të martën, kur Kurti njoftoi se do të kërkojë nga Osmani që ta mandatojë Konjufcën për formimin e qeverisë së re, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se Konjufca duhet të dëshmojë se ka shumicën.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Kosova është zhytur në krizë që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat u zhvilluan para pothuajse dhjetë muajsh, derisa vendi mund të përfundojë në një cikël të ri zgjedhor në dhjetor, në përpjekje për t’iu kthyer normalitetit.
Kjo pasi që më 26 tetor, propozimi i mandatarit Albin Kurti për një mandat të ri katërvjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvend. Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.