Bota
ZJARRET NE SPANJE, BILANCI DYMBEDHJETE VIKTIMA
Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të madh pyjor që shpërtheu në Los Gallardos, në provincën juglindore të Almerías, njoftuan autoritetet rajonale të Andaluzisë.
Sipas autoriteteve, disa nga viktimat u gjetën brenda automjeteve të përfshira nga flakët. Dëshmitarët dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga rrëzimi i një linje elektrike, por shkaku zyrtar ende nuk është konfirmuar.
Presidenti i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi”, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kishte deklaruar më herët se vendi do të mobilizonte kapacitetet më të mëdha për përballimin e zjarreve gjatë sezonit veror.
Zjarri në Almería është pjesë e një serie zjarresh që po godasin Evropën Jugore, të favorizuara nga vala e fortë e të nxehtit me temperatura që në disa zona arrijnë deri në 40–42 gradë Celsius. Qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët edhe në Portugali dhe Francë, ndërsa mijëra banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), vitin e kaluar në Spanjë u dogjën rreth 393 000 hektarë tokë, më shumë se gjashtë herë mbi mesataren e viteve 2006–2024. Ndërkohë, shërbimi klimatik Copernicus thekson se Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, duke bërë që valët e të nxehtit dhe zjarret pyjore të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike pritet të vazhdojnë të rrisin rrezikun e zjarreve të mëdha në rajonin e Mesdheut dhe në pjesë të tjera të Evropës edhe në vitet e ardhshme.