Connect with us

Aktualitet

Zjarri në hotelin “Brooklyn”/ Gonxhja: Siguria e pushuesve, prioritet absolut

Pas zjarrit që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës, ku gjashtë pushues mbetën të plagosur, institucionet kanë nisur kontrolle në strukturat akomoduese në të gjithë vendin.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mblodhi këtë të hënë online TaskForcën Ndërinstitucionale të Sezonit Turistik 2026, ku kërkoi intensifikimin e verifikimeve për kushtet e sigurisë në hotele dhe struktura të tjera akomoduese.

Në fokus të kontrolleve janë kushtet teknike të ndërtesave, masat e mbrojtjes nga zjarri, funksionimi i sistemeve të sigurisë, daljet e emergjencës, sinjalistika dhe planet e evakuimit.

Gonxhja theksoi se siguria dhe respektimi i standardeve për pushuesit përbëjnë “prioritet absolut”, ndërsa kërkoi koordinim më të fortë mes institucioneve dhe ndërhyrje të menjëhershme në rast të konstatimit të problematikave.

Kontrollet do të shoqërohen edhe me komunikim me operatorët turistikë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjshmërisë për zbatimin e standardeve të sigurisë.

Zjarri në hotelin “Brooklyn” shpërtheu në orët e para të së dielës. Gjashtë pushues u lënduan, ndërsa disa prej tyre u transportuan për trajtim të specializuar në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një defekt elektrik në ambientet e hotelit.

Advertisement