Politike
Zogaj përplaset me Bushatin: SPAK po rrëzon gjithë ushtarët Ramës, ti thua SPAK është me Ramën
Analistët Preç Zogaj dhe Andi Bushati debatuan në emisionin “Të Paekspozuarit” për ndikimin që mund të ketë hetimi i SPAK ndaj Veliajt te rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Ndërsa Zogaj u shpreh se çdo goditje që merr partia në pushtet sot dhe deri në zgjedhje është në disfavor të saj sa i përket rezultatit elektoral, Bushati solli rastet e mëparshme me Saimir Tahirin, Bllakon, apo Ahmetajn, kur Rama vetëm është forcuar dhe ka fituar zgjedhjet.
Zogaj: Dalja në dritë e fakteve të reja dhe përballja e Veliajt me akuzat për periudhën që ka mbetur deri në zgjedhje, është në disfavor të PS dhe të Edi Ramës. Nuk mund të mendohet rasti i tij në një kontekst tjetër, sikur zgjedhjet kanë përfunduar, nuk mund të gjykohen në kontekstin e rivaliteteve në PS apo të raporteve që kanë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Këtu ndahet shapi nga sheqeri, Shqipëria do të shkojë në votime. Çdo goditje që merr partia në pushtet sot dhe deri në zgjedhje është në disfavor të saj sa i përket rezultatit elektoral.
Bushati: Këtu unë nuk jam dakord me Preçin.
Zogaj: Bien ushtarët, forcohet ushtria dhe komandanti?
Bushati: Kjo që thotë Preçi është e vërtetë për vendet demokratike.
Zogaj: Ti duhet të kesh parasysh efektin që kanë këto ngjarje tek elektorati, te zgjedhjet.
Bushati: Ne këtu jemi vetëm në rrafshin e hipotezave se zgjedhjet do të jenë, pra basti do të vërtetohet në 11 maj. Unë këtë debat e kam bërë në studio që në vitin 2016 dhe kam patur bashkëbisedues që thonin…
Zogaj: Ti do të vërtetosh edhe teoremën që Rama kontrollon SPAK-un.
Bushati: Jo, jo unë po flas në raport me zgjedhjet, jo kontrollin e SPAK-ut. Bashkëbiseduesit e mi, ashtu mendoja edhe unë atëherë, ore të dalë Saimir Tahiri, njeriu numër 2 i Ramës, të dalë i implikuar me kanabizimin e Shqipërisë, Rama ikën karrocë. Rama me Saimir Tahirin shtoi votat, me Alqi Bllakon, Lefter Kokën, me Arben Ahmetajn, shtoi votat. Pse se duket anomali, siç thua ti, se kur të ranë të gjithë ushtarët, ti duhet të humbasësh edhe votat, por kjo ndodh në vendet ku votohet, Preç. Problemi që kam unë me SPAK-un ky është. SPAK-u i ha ushtarët dhe paradoksalisht Rama forcohet. Pse? Se SPAK-u është i tredhur përballë krimit elektoral, ndaj kullave që financohen…
Zogaj: Nëse SPAK-u i ha ushtarët siç thua ti dhe forcohet Rama, kjo nuk është më çështje e SPAK-ut, duhet të shkosh më thellë, mos bëj lidhje të shkurtër.
Bushati: Është çështje e të gjithë shoqërisë, televizioneve, opozitës.
Zogaj: Saimir Tahiri është një histori tjetër. Aty kur opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, çfarë pret ti që Rama të dalë keq?
Bushati: Nëse flasim për një drejtësi të pavarur, nuk duhet të fokusohet te ndëshkimi i xhepistëve, qoftë Ilir Meta, apo xhepist Erion Veliaj. Shoqëria shqiptare ka një problem; financimin e këtij narkopushteti me para droge që është simbolizuar te kullat e Tiranës.
Zogaj: Ai do të jetë hapi tjetër, më i madh i SPAK-ut.
Bushati: Si këto para blejnë votën. Derisa drejtësia jonë e pavarur nuk hyn këtu, por kap xhepistin e radhës, që i ka siguruar jo 10 po 100 palë tanga Ajolës, ne këtu jemi në farsë.