Connect with us

Kosova

Zot, ky është budallallëk/ Toby Vogel akuzon Kallas për idenë e hedhur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi

Fyerje ndaj viktimave të agresionit serb e cilësojnë vëzhguesit e procesit sugjerimin e fundit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, sipas së cilës përfshirja e të rinjve dhe ndryshimi i perceptimeve të tyre mund të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një seancë dëgjimore të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, shefja e diplomacisë evropiane ndaloi tek roli i brezit të ri, duke theksuar se angazhimi i të rinjve është thelbësor për çdo përpjekje drejt kapërcimit të ngërçit në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili nuk ka shënuar kurrfarë progresi pavarësisht pritjeve.

Për analistin nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit, Toby Vogel, ideja se ndërtimi i besimit mes të rinjve mund të zhbllokojë dialogun është “budallallëk” sepse edhe sikur të rinjtë serbë ndryshojnë perceptimin e tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës, ata nuk do të ndikojnë në qëndrimin e presidentit autokratik të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili kundërshton në mënyrë të vazhdueshme marrëveshjet e arritura me Kosovën.

“Zot, ky është budallallëk. Për më tepër, është fyerje ndaj viktimave të agresionit serb të barazosh të dyja palët dhe të deklarosh se duhet të lëvizim përpara dhe ta harrojmë të kaluarën”, thekson Vogel, I cili gjithashtu kritikoi vlerësimin e Kallasit sipas së cilit dialogu ka ngecur për shkak se në Kosovë nuk ka qeveri funksionale. Ai e konsideron “diagnozë të gabuar” duke qenë se dialogu nuk ka shënuar progres drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme prej nisjes në vitin 2011.

Advertisement