Connect with us

Kronike

400 mijë £ u bënë “mollë sherri”/ Paratë e Refit Buzit të fituara nga droga, shkak për tre viktima?

Paratë që 35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi, dyshohet se i kishte fituar nga aktiviteti kriminal në Britaninë e Madhe mund të kenë qenë shkaku i konflikteve të vazhdueshme me ish-partneren e tij, Rozalinda Plaka. Sipas familjes së Buzit, ai i kishte dërguar asaj rreth 180 mijë paund gjatë kohës që jetonte në Britani, por pas ndarjes, familja e vajzës nuk pranoi t’ia kthente këto para.

Marrëdhënia mes tyre ishte e tensionuar prej kohësh. Sipas familjarëve të Rozalindës, 35-vjeçari e kishte kërcënuar disa herë, madje edhe me armë. Ai ishte arrestuar në disa raste, por ishte liruar sërish. Por fatkeqësisht, ngjarja mori fund ditën e djeshme në mënyrë tragjike. Buzi vrau prindërit e ish-partneres së tij, më pas e mori peng Rozalindën dhe u përball për rreth tetë orë me forcat e policisë.

Në fund, ai refuzoi të dorëzohej dhe më pas ka qëlluar veten me armë. Prindërit e Refit Buzit kanë deklaruar se konflikti lidhej me paratë që djali i tyre kishte dërguar nga Britania e Madhe. Ata pretendojnë se familja Plaku nuk pranoi t’ia kthente shumën, madje refuzoi edhe një marrëveshje për të kthyer vetëm gjysmën e saj.

Refit Buzi kishte precedentë penalë në Britaninë e Madhe. Në vitin 2022 ai u rrëmbye dhe u mbajt peng për 12 ditë nga shtatë shqiptarë, të cilët kërkonin 400 mijë paund për lirimin e tij. Pas denoncimit nga familja dhe ndërhyrjes së autoriteteve britanike, ai u shpëtua dhe u kthye në Shqipëri.

Pas kthimit në vend, mosmarrëveshjet për paratë mes tij, Rozalinda Plakës dhe familjes së saj vazhduan. Sipas deklaratave të familjes së Buzit, ky konflikt çoi në tragjedinë ku humbën jetën tre persona, prindërit e Rozalindës dhe ish-pratneri.

Advertisement