Connect with us

Aktualitet

Përplasja/ Andi, Erjoni, fiqtë dhe tolloni…

Erion Veliajt “përplaset” me Andi Bushatin: Je rritur në prehrin e Enverit. Reagon gazetari

Në përurimin e dy shkollave të reja në Kodër Kamzë, “Nënë Tereza” dhe “John F. Kennedy”, kryebashkiaku Erion Veliaj përmendi, edhe ata që mohojnë punët e kryera në Tiranë.

Duke iu referuar në veçanti analistëve, Veliaj tha se është e pakuptimtë pse këta revoltohen kur në television transmetohet kronika për hapjen e konvikteve për studentët, siç ishte rasti me dy rezidencat e reja për studentët e Fakultetit të Mjekësisë.

“Dje ndodhi gjëja më e pabesueshme, që nuk e kisha parë ndonjëherë. Analistët u revoltuan pse u transmetua në televizor hapja e konvikteve? Por, dje, përveç hapjes së konvikteve, në dhamë lajmin se Bashkia e Tiranës vendosi të paguajë gjysmën e tarifës së konviktit për studentët dhe analistët u revoltuan pse u transmetua kjo gjë. Jo vetëm kaq!

Duke qenë se këta studentë vijnë nga rrethet, ne vendosëm që t’ua japim abonetë falas. Edhe për këtë ishin trembur analistët, thanë: “Si ka mundësi të jepet live kjo gjë? Ndërpriten llogjet tona nëpër banaqe dhe jepet ky lajm për abonetë falas për studentët. Si ka mundësi të ndërpritet logoreja jonë nëpër televizione dhe jepet lajmi që konviktet do të subvencionohen 50% nga bashkia? Si ka mundësi të ndërpriten këto idiotësitë tona, që themi nëpër banaqe, dhe ne duhet të dëgjojmë që paska konvikte te reja për mjekët e ardhshëm?”.

Sot kemi një hegjemoni banaliteti nga njerëz që rrinë nëpër banaqe dhe japin mend për gjëra që nuk i dinë fare; janë njerëz që janë rritur në prehrin e Enver hoxhës dhe nuk e kuptojnë fare atë fëmijën që thotë: “Mami ka ardhur nga Puka, babi ka ardhur nga Laçi e nga Tropoja”, kanë lënë gjithçka dhe e kanë filluar nga zero për fëmijën. Por, kjo shkollë, ky investim, kjo përpjekje, ky angazhim, ky përfaqësim është për çunat dhe për gocat që nuk janë rritur në prehrin e Enverit, po për çunat dhe për gocat që ia dalin vetë, që i bëjnë gjërat me mund, që i bëjnë gjërat me djersë dhe janë produkt i një sakrifice të jashtëzakonshme të burrave dhe grave, që mund të kenë ardhur nga gjithë cepat e Shqipërisë, por që e shohin Tiranën si vendin ku duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se një pjesë e këtyre analistëve e kanë patur jetën shumë të lehtë, ndaj nuk i kuptojnë vështirësitë e nxënësve dhe studentëve sot, apo prindërve të tyre.

“Është mërzitur Andi [Bushati] sepse Andi nuk e njeh tollonin, nuk ka shitur as fiq, por Andi nuk ka bërë as miq. Andi dhe gjithë Andët e tjerë, që janë analistë sot, nuk e dinë se çfarë do të thotë të rrish tek radha e qumështit, se kur të mban Enveri në prehër s’e kupton këtë. Andi nuk e di se çdo të thotë tollon, nuk e di se çdo të thotë buka me riskë, nuk di se çfarë do të thotë mishi me gramaturë. Andit nuk duhet t’i pritet biseda sepse ai po flet për çështje globale, ndërkohë që ne na interesojnë çunat e Pukës, Fushë Arrëzit, Shkodrës, Malësisë së Madhe, Tropojës, Maqellarës, Peshkopisë, Pukës, Kukësit, Këlcyrës, Përmetit. Kjo është diferenca e madhe,” shtoi Veliaj.

Mandej, kryebashkiaku shtoi: “Nëse janë kaq të mirë [analistët] dhe dinë të bëjnë ndonjë punë, ja ku janë zgjedhjet! Të vijë Andi [Bushati], qoftë në prehrin e Enverit, qoftë në prehrin e Saliut, të kandidojë nëse dinë të bëjnë ndonjë punë. Sa herë që shikoni një nga këta Andët nga prehri i Enverit, që flet për qeverinë, që i bën kritika Edi Ramës, që nuk do konviktet, nuk do abonetë falas, nuk do 50% të pagesës së kostos së konviktit, që nuk do të shohë shkollat e reja, pyetja që duhet t’i bëjë secili vetes është: “Çfarë ka bërë ky për vendin?”. Se është shumë kollaj të thuash vendi nuk ka mjaftueshëm pemë, edhe pse kemi mbjellë 900.000 mijë, por pyetja është: Kur e ka mbjellë ky pemën e vet të fundit? Kur e shërbeu pjatën e fundit të supës në një qendër sociale?” e mbylli Veliaj.

Reagimi i Andi Bushatit

Dje postova një status dy radhësh në Facebook pasi pashë një fenomen të përsëritur shpesh deri në neveri. Televizionet që si me komandë ndërpresin programet e tyre sa herë që Erion Veliaj bën edhe levizjen më të parëndësishme, që duhet të jetë puna e rëndomtë e administratorit të një qyteti. I bindur se kjo nuk është as gazetari, as kujdes për të informuar publikun dhe duke ditur se pikërisht për fenomene si ky “Reporterët pa kufij” e kanë zbritur me 20 vende Shqipërinë në klasifikimin e lirisë së mediave, pasi vënë re se politikat editoriale ndikohen nga ata që japin punë publike dhe leje ndërtimi, shkruajta për këtë.

Sot pashë me çudi një batare sulmesh e fyeriesh nga Erion Veliaj, që si gjithmonë ua kishte nisur me tekst të gatshëm mediave që komandon.

Për të justifikuar uzurpimin që i ka bërë ekraneve me ato 7 minuta bredhje nëpër koridoret e konvikteve të rikonstruktuara të mjeksisë, që në çdo vend të demokratik nuk do të zinin asnjë sekondë kronikë, ai sot ka thënë gjera që as i përmendi dje…Pra se studentëve do tu jepen abonetë falas dhe se bashkia do tu paguajë gjysmën e tarifës. Po s’ka problem ndoshta këto i kishte ruajtur për të uzurpuar kohë tjetër televizive sot.

Megjithëatë, vemendjen nuk ma tërhoqi manipulimi meskin i zakonshëm, por pjesa ku ishte marrë personalisht me mua…

Besoj se ky përrua psikik e do një përgjigje, jo për logjikën e çartur të atij që e ka hartuar, por sepse autorin e tij rrezikojme ta kemi me shumë gjasë edhe për katër vite në drejtimin e kryeqytetit…

Ç’ka bërë ai për vendin, ç’farë quan ai punë që të transmetojë kronika sikur po shpërndan supë për të varfrit, në të njëjtën ditë që gjendet përtej Atlantikut?

Ç’ka bërë ai për vendin, ç’farë quan ai punë, të retushojë foto ku shfaqet duke mbjellë pemë duke fshirë në sfond kullat e larta?

Ç’ka bërë ai për vendin, ç’farë quan ai punë, që të gënjeje zgjedhësit me slloganin “zero ndërtime” dhe ta shndërrojë Tiranën në parajsën e lejeve, 60% të të cilave ndërtohen me para të pista?

Ç’ka bërë ai për vendin, ç’farë quan ai punë që të fshijë me prokurorët e partisë gjurmët e gjakut të Ardit Gjoklajt?

Ç’ka bërë ai për vendin, ç’farë quan ai punë, që të firmosë dokumente që i hapën rrugë inceneratorit të Tiranës, dhe që në ç’do vend normal do ta kishin shpënë në dyert e burgut?

Lista e këtyre “punëve” për vendin mund të qe e pafundme por edhe këto janë mjaft për ta karakterizuar “zdromsin” që vazhdon të përsërisë fabulën e fiqve dhe dasmës së bërë me kursimet e mamasë.

E sa për atë, se në prehërin e kujt ulemi, duke e zhveshur këtë shprehje nga çdo konotacion seksual, për të cilat refuzoj ti paragjykoj njerzit, mua s’besoj se me ka ndodhur, as ne prehërin e Enverit, as në atë të Saliut të më çojë si legen diktatori i ri, për të kapur lopën e fshatarit apo për të lyer murin e shkallës të bërë pis…

E megjithëatë, përtej këtyre replikave me batuta hidh e prit, problemi i madh mbetet po i njëjti: overdoza e sponsorizuar dhe antidemokratike e Erion Veliajt në ekranet tona. Kontrollin që ka bashkia e tij mbi mediat ku shpërndan shkrime me të njëjtin tekst, të njëjtën foto dhe të njëjtin titull. Lavazhi i trurit që mëtohet ti bëhet qytetarëve duke përdorur pushtetin e lejeve të ndërtimit dhe parave të pista që i lartësojnë ato.

Kjo është pika për të cilën ia vlen të debatohet, ky është në radhë të parë debati real që rëndon mbi ndërgjegjjen e njollosur të shumë prej mediave tona. Dhe ai nuk mund të fshihet duke krijuar konfikte shterpë me fiq, tollona, radhë qumshti, Enver, Sali, apo Edi qoftë.

Aktualitet

15 vite jashtë drejtësisë/ Alfred Balla: Vendim i turpshëm i KPA, i drejtohem Strasburgut

Alferd Balla ka reaguar pasi KPA e përjashtoi për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Ai e konsideron një vendim të turpshëm vendimin e KPA, pasi sipas tij vendosi të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun e tij si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.

“Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua.

Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat. Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj. Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…”, thuhet në reagimin e Alfred Ballës.

Continue Reading

Aktualitet

Operacioni i SPAK/ Abilekaj: Kokat e krimit u larguan, në përgjime del emri i deputetit të PS-së

Gazetari Enton Abilekaj ka deklaruar se operacioni i SPAK me 50 urdhër arreste mund të jetë dekonspiruar, pasi sipas tij, kokat e krimit janë larguar nga vendi.

Abilekaj është shprehur se në përgjime është ish kryetari i PS Lezhë ka poseduar në banesë qindra kilogramë drogë dhe bandat e trafikut ja kanë marrë atij drogën.

Diskutimi mbi suksesin e operacionit është komplekse pasi nuk janë arrestuar të gjithë personat, por duhet përshëndetur operacioni pasi është i pari që godet njëherazi të gjitha bandat kriminale në vend.

Duket sikur operacioni i dekonspirua dhe ata që janë kokat e organizatave kriminale janë larguar në rrethana misterioze. Diçka ka ndodhur që nuk kanë arritur të kapen. SPAK me një urdhër ka ndaluar publikimin e dosjes ku në 240 faqe ka disa biseda të zbardhur nga SPAK tregojnë që këto fletë arreste janë të pamjaftueshme.

Në përgjime është ish kryetari i PS Lezhë ka poseduar në banesë qindra kilogramë drogë dhe bandat e trafikut ja kanë marrë atij drogën.

Ne akoma nuk kemi një fletë arresti për këto fakte dhe në parlament nuk kemi parë një kërkesë për imunitetin e deputetit Ndreca sot kur në atë kohë ishte kreu i PS në Lezhë. Kemi tre deputetë të përfshirë në këtë çështje ku janë Rrajat, Ndoka dhe Ndreca.

Ne atë dosje edhe pse flasim për vitin 2021 nuk ka asnjë çështje për zgjedhjet pasi ishte vit zgjedhor por në dosje nuk ka asnjë fjalë që flet për votat. Rama i është drejtuar Ervis Martinaj në një miting në Kurbin“, tha Abilekaj.

Continue Reading

Aktualitet

Vendimi i KPA/ Ja detaji që çoi në largimin e Alfred Ballës nga sistemi i drejtësisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 21 maj vendimin për procesin e vetingut ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Alfred Balla. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Balla nuk ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit.

Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Pakica e trupës së KPK vlerësoi se Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar

Komisioneri Ballhysa iu drejtua Kolegjit me ankim, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe vendosjen e sanksionit 15-vjeçar për kreun e KLP. Komisioneri argumentoi se Balla i plotësonte kushtet për subjekt rivlerësimi dhe se ai vetë kishte deklaratën e pasurisë, atë në funksion të figurës, si dhe tre akte ligjore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kontrollin e profesionalizmit.

Duke iu referuar jurisprudencës së Kolegjit, Ballhysa vlerësoi se, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit, në momentin kur fillonte procedura e vetingut duhet të mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën Kushtetuta dhe ligji i cilësonte si subjekte të tilla.

 

 

Komisioneri nuk e gjeti të drejtë arsyetimin e KPK se Balla e ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij. sipas Ballhysës, subjekti në vitin 2018 kishte kërkuar në KPK ndërprerjen e veinggut dhe njëherazi kishte kundërshtuar në gjykatë lirimin e tij nga detyra si ndihmës ligjor.

Po ashtu, kërkesën për njohjen e statusit si ndihmës jo magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, Balla e ka adresuar dhe pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, që me vendimin të dhjetorit të vitit 2020 e ka pezulluar së shqyrtuari për shkak të padisë së ngritur në juridiksionin gjyqësor.

Këto argumente të Komisionerit u renditën edhe nga kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama, e cila u shpreh ndër të tjera se urdhëri i lirimit nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe ishte absolutisht i pavlefshëm dhe si i tillë nuk kishte sjellë asnjë pasojë juridike, duke u konsideruar se nuk ekzistonte. Për pasojë, është vlerësuar se Balla nuk e ka humbur statusin e ndihmësit ligjor për shkak të këtij urdhëri.

Nga ana tjetër, Kolegji vlerëson se subjekti e ka humbur statusin për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të tij, pasi nuk ka kontestuar këtë urdhër në rrugë ligjore dhe ka shfaqur vullnetin për t’u zgjedhur anëtar në një organ tjetër kushtetues. Kjo sjellje e subjektit është vlerësuar nga KPA si shkaku kryesor për përfundimin e marrëdhënies së tij të punës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë. Po ashtu, është vlerësuar se përmbush kushtet për t’u vlerësuar si dorëheqje nga detyra, sipas përcaktimeve të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se dorëheqja nga detyra shoqërohet dhe me sanksionin që i ndalon riemërimin në disa funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Sipas KPA, subjekti ka përfunduar marrdhënien e punësimit si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë për shkak të vullnetit të tij, si dhe ka kërkuar të mos i nënshtrohet procesit të rivlerësimi edhe ndërsa ai vetë ka menduar se e gëzonte statusin e këshilltarit ligjor dhe ka hequr dorë nga këto të drejta. Pëfundimisht, trupi gjykues i Kolegjit, me shumicë votash ka vendosur ndryshimin e vendimarrjes së KPK, duke deklaruar edhe humbjen e së drejtës së Alfred Ballës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. /Reporter.al/

Continue Reading

Aktualitet

Tentativë për të korruptuar gjyqtarët e Apelit të Korçës, GJKKO merr vendimin për Blerand Kozicin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e Blerand Kozicit. Ai kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” ose “Detyrim paraqitje”.

Blerand Kozii është arrestuar për transport të paligjshëm të emigrantëve dhe po ashtu ka tentuar të korruptonte gjyqtarët e Apelit të Korçës.

NJOFTIM PËR MEDIAT:

Kërkuesi Blerand Kozicimë datën 13.05.2024, Nr. 280 Regj.Themeltar,ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arresti në shtëpi” apo “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 237 dhe 234 i K.Pr.Penale.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 280, datë 20.05.2024 u vendos:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Blerand Kozici. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, afat i cili do të fillojë nga dita e njoftimit të vendimit.

Tiranë, me datë 20.05.2024.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Continue Reading

Aktualitet

Dekonspirimi i operacionit të SPAK/ Rrumbullaku justifikohet: 11 na ikën jashtë!

Pasi në media është përfolur se operacioni i SPAK me 50 urdhërarreste është dekonspiruar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, ka reaguar edhe drejtori i Policisw sw Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

Përmes një reagimi për mediat, Rrumbullaku thekson se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO.

Kjo sipas policisë tregon se nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit. Sa u takon personave që nuk janë arrestuar, policia sqaron se 15 rezultojnë jashtë vendit, ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Reagim:

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sqarojmë se:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, hartoi planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Ogranizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të DVP Tiranë, 50 punonjës të DVP Durrës, 50 punonjës të DVP Lezhë, 50 punonjës të DVP Vlorë dhe 20 punonjës të DVP Shkodër.

-Gjatë operacionit, u kapën nga shërbimet e Policisë që morën pjesë në operacion dhe u arrestuan, 8 shtetas.

-6 shtetas, të cilët u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë.

-Për 6 shtetas të tjerë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës dhe ata u njohën me akuzat, në IEVP-të përkatëse.

-Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas  që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë.

-Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur për ta thelluar më tej procesin e vetëpastrimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qytetarët dhe me mediat.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING