Sport
VIDEO/ Maroku ‘shkruan’ historinë, kualifikohet
Maroku ka arritur të fitojë me rezultatin 2 me 1 kundër Kanadasë, në përballjen e fundit të fazës së grupeve, të “Katar 2022”. Me fitimin e këtyre 3 pikëve, Maroku ka arritur të “rrëmbejë” vendin e parë të grupit E dhe të kalojë në fazën tjetër të Kupës së Botës, gjë e cila afrikanëve u kishte munguar prej 36 viteve.
Dominanca e marokenëve u duk që në fillimin e lojës, ku pas një gafe të portierit Borjan, në minutën e 4’ të lojës, mesfushori i Chelsea, Hakim Ziyech prej një distance relativisht të largët, godet dhe shënon. Edhe pse në epërsi, marokenët nuk ndaluan dhe në minutën e 23’, një pasim i Achraf Hakimit gjeti sulmuesin En-Nesyri, i cili një me një me portierin kanadez nuk zhgënjen dhe dyfishon rezultatin.
Goli i nderit për Kanadanë do të vinte po në pjesën e parë, ku pas një aksioni të shpejtë, në krahun e majtë, Buchanan kroson dhe mbrojtësi i Marokut, Nayef Aguerd e dërgon topin në rrjetën e portës së tij.
Pjesa e dytë ishte e thatë me ekipet që zhvilluan 2-3 aksione, por pa arritur në finalizim, duke lënë kështu rezultatin të pandryshuar.
Me marrjen e kreut të grupit E, Maroku pritet të “peshkojë” në fazën tjetër, Spanjën ose Gjermaninë.