Aktualitet
Zbardhet “Besa” e Ramës, 7 rregullat e mandatit të katërt
Në dokumentin me 39 faqe, BESA, të cilin kreu i qeverisë Edi Rama ua dorëzoi dje të tijve në mbledhjen e grupit dhe kabinetit, theksohet se ky është Dokumenti Strategjik i kthesës së mandatit të katërt.
Top Channel zbardh këtë dokument, i cili sipas Ramës përcakton diagnozën, objektivin, aftësitë që duhet të ndërtojë qeverisja, mekanizmat e zbatimit, arkitekturën e përgjegjësisë, testin e parë dhe mënyrën e matjes.
“Nuk është program sektorial, rregullore administrative apo dokument komunikimi”, thuhet në të.
“Dokumenti i drejtohet qeverisë, administratës dhe familjes sonë politike, por parimet dhe mekanizmat e tij duhet të përballen edhe me publikun, komunitetet profesionale, shoqërinë civile, universitetet dhe brezin e ri. Zbatimi i tij nuk matet nga miratimi i tekstit, po nga ndryshimi i mënyrës si merren, shpjegohen, zbatohen dhe korrigjohen vendimet.
Instrumentet e propozuara nuk u mbivendosen roleve të institucioneve. Konsultimi publik, vlerësimi i ndikimit rregullator dhe planet e performancës ekzistojnë tashmë. BESA i bashkon në një standard të vetëm besueshmërie dhe kërkon që çdo detyrim i ri të zëvendësojë, bashkojë ose thjeshtojë një procedurë ekzistuese”, thuhet më tej.
BESA liston 7 aftësitë e qeverisjes së besueshme, të cilat socialistët duhet t’i ndjekin në këtë mandat.
“Dëgjimi- institucionet kuptojnë shoqërinë përpara se pakënaqësia të bëhet krizë.
Prova- çdo vendim strategjik mbështetet mbi evidencë të verifikueshme.
Shpjegimi- transparenca nuk mbaron te publikimi, po arrin te kuptimi.
Kujdesi- mirëmbajtja dhe cilësia e shërbimit peshojnë sa investimi i ri.
Matja- administrata mat jo vetëm aktivitetin, po ndryshimin në jetën e qytetarit.
Mësimi- gabimi kthehet në njohuri dhe nuk përsëritet si zakon institucional.
Parashikimi- rreziku dallohet kur është ende sinjal dhe jo pasi është bërë krizë”, shkruhet në këtë dokument strategjik.