Connect with us

Kronike

Limaj viziton shokët e luftës në Hagë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate në Kosovë, Fatmir Limaj ka vizituar  bashkëluftëtarët e tij që ndodhën në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë.

Limaj ka shkruar në Facebook se asnjëherë nuk e ka menduar që do të kthehet në Hagë për t’i vizituar krerët e UÇK-së, sepse ka qenë i bindur që është luftëtari i fundit që futet dhe del nga kjo ndërtesë.

“Emocion i veçantë që pikërisht në 17-vjetorin e lirimit tim nga Tribunali i Hagës të vizitoj bashkëluftëtarët e mi të cilët nuk janë aty për çështje personale, por për të zhvilluar betejën e fundit për pavarësinë e Kosovës. Një betejë ndryshe, me mjete të tjera, me mjete ligjore. Ata janë të vetëdishëm që kjo betejë është për historinë e Kosovës”, ka shkruar Limaj.

Kryetari i Nismës gjithashtu ka theksuar se po tentohet përmbysja e historisë së lavdishme të kombit, jo vetëm për ne që sot jetojmë, por për gjeneratat që do të vijnë edhe pas 100 viteve.

“Beteja në Hagë nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, as e Kadri Veselit, as e Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por përmes tyre, është betejë për Kosovën. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, prandaj epilogu i kësaj beteje nuk mund të jetë ndryshe veç fitore”, ka shkruar Limaj

Advertisement