Politike
U riatdhesua nga Siria bashkë me nipërit/ Lamallari mirëpret gjyshen 79 vjeçare në Rinas
Pesë shtetas shqiptarë janë riatdhesuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një operacioni të fundit të koordinuar nga Tas Forca e ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Më herët, edhe Ministria e Jashtme e ka konsideruar të përfunduar operacionin.
“Sot, në orën 1:20 u kthyen nga Siria në atdhe pesë shtetas shqiptarë, nga të cilët tre të mitur dhe një e moshuar 79 vjeçare. E moshuara H.T, pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar drejt Sirisë për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it, ka udhëtuar drejt Sirisë me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj”, shkruan ministri.
Besfort Lamallari, kryepolici Skënder Hita, kryekomisari i Rinasit, Përparim Dema dhe të tjerë zyrtarë të lartë të Policisë e të Shtetit, i kanë pritur vetë shtetasit shqiptarë në pistë dhe në ambientet e Policisë Kufitare.
“Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, shtetasja H. T. ka qëndruar në kampin Al-Hol në Siri, ku, në kushte veçanërisht të vështira jetese, ka vijuar të kujdeset për fëmijë të mitur, përfshirë dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.
Riatdhesimi i saj dhe i të miturve është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve shqiptare për të mundësuar kthimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në zonat e konfliktit dhe në kampet e Sirisë”, vijon ministri.
Ai u shpreh përgëzime të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit për përmbushjen e masave për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit.
Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë punën dhe koordinimin ndërinstitucional për riatdhesimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri.