Kronike
Parandalohet tragjedia/ 37-vjeçari nxjerr pistoletën dhe godet qytetarin
Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, ku disa persona u konfliktuan me njëri-tjetrin në ambientet e një lokali në Tiranë.
Përmes një njoftimi zyrtar Policia e Shtetit bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45, në rrugën “Eshref Frashëri”, pranë ambienteve të lokalit “Omerata”. Dy persona dyshohet se janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ndërsa gjatë përplasjes njëri prej tyre ka përdorur një armë zjarri.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga është vënë në flagrancë 37-vjeçari Indrit Kallari, banues në Krujë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me qytën e një pistolete që e mbante pa leje 47-vjeçarin Arben Merkajn, banues në Laprakë.
Pas marrjes së njoftimit për konfliktin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet për sqarimin e rrethanave.
Gjatë ndërhyrjes, Policia ka sekuestruar armën e zjarrit, së bashku me krehrin dhe fishekët. Si rrjedhojë u bë i mundur arrestimit i 37-vjeçarit, i cili dyshohet se për motive të dobëta goditi me qytën e pistoletës lapraksin.
“Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në rrugën “Eshref Frashëri”, ndërmjet 2 shtetasve, rreth orës 21:45 të datës 24.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë në lidhje me këtë rast.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale u neutralizua konflikti, si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi I. K., 37 vjeç, banues në Krujë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me qytën e armës së zjarrit (pistoletë) që mbante pa leje, shtetasin A. M., 47 vjeç, banues në Laprakë.
Në vijim të këtyre veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për 47-vjeçarin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.