Connect with us

Kronike

45-vjeçari masakroi prindërit me sqepar, i ati në gjendje të rëndë, nena përcillet për në banesën e fundi

Familja Dalladaku në Lushnje ka hapur dyert e mortit pas ngjarjes së mbrëmjes së të hënës, ku djali 45-vjeçar, Florion Dalladaku, masakroi me sqepar prindërit, duke lënë të vdekur nënën e tij Florije, ndërsa babain e plagosi rëndë. E teksa familjarë e miq janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit 80-vjeçares, Hasan Dalladaku vijon të jetë në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.

77-vjeçari, i cili u godit me sqepar nga djali i tij në Lushnje, po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Burime për mediat bëjnë me dije se i moshuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në shërbimin e reanimacionit, nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se Hasan Dalladaku ka marrë plagë të rënda edhe në kokë, çka e rëndon më tej gjendjen e tij shëndetësore.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku Florion Dalladaku dyshohet se sulmoi me sqepar prindërit e tij. Nëna e tij humbi jetën në vendngjarje, ndërsa babai u transportua me urgjencë drejt spitalit.

U godit me sqepar disa herë në kokë nga i biri, 77-vjeçari

Autori i krimit, Florion Dalladaku

Pas krimit, 45-vjeçari dyshohet se mori makinën e të vëllait dhe u largua nga banesa. Ai u lokalizua dhe u arrestua më pas nga policia në Fier.

Sipas banorëve të zonës, familja Dalladaku ishte e qetë dhe e njohur si familje punëtore, ndërsa për 45-vjeçarin ata thanë se kishte shfaqur më herët probleme të shëndetit mendor dhe se ishte trajtuar për to. Një prej banorëve ka treguar se Florioni kishte pasur edhe më parë episode problematike, ndërsa një tjetër ka deklaruar se familjarët ishin përpjekur ta trajtonin.

Policia bëri me dije se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive ende të paqarta. Materialet hetimore i janë referuar autoriteteve përkatëse, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të saj.

Advertisement