Kronike
Putin pranon luftën në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin të enjten përdori fjalën “luftë” për t’iu referuar konfliktit në Ukrainë, hera e parë që ai ka devijuar publikisht nga përshkrimi i tij i hartuar me kujdes të pushtimit tw Ukrainws nga Moska, si një “operacion ushtarak special” 10 muaj pasi filloi. “Qëllimi ynë nuk është të rrotullojmë volantin e konfliktit ushtarak, por, përkundrazi, t’i japim fund kësaj lufte,” u tha Putin gazetarëve në Moskë, pasi mori pjesë në një takim të Këshillit të Shtetit mbi politikën rinore. “Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të përpiqemi për këtë.”
Kritikët e Putinit thonë se përdorimi i fjalës “luftë” për të përshkruar konfliktin e Ukrainës ka qenë efektivisht i paligjshëm në Rusi që nga marsi, kur udhëheqësi rus nënshkroi një ligj censurimi që e bën krim shpërndarjen e informacionit “të rremë” rreth pushtimit, me një dënim deri në 15 vjet burg për cilindo të dënuar. Kështu që përdorimi i fjalës nga Putin nuk kaloi pa u vënë re.
Nikita Yuferev, një ligjvënës komunal nga Shën Petersburg, i cili u largua nga Rusia për shkak të qëndrimit të tij kundër luftës, tha të enjten se ai u kishte kërkuar autoriteteve ruse të ndjekin penalisht Putinin për “përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë”. “Nuk kishte asnjë dekret për t’i dhënë fund operacionit special ushtarak, nuk u shpall luftë,” shkroi Yuferev në Twitter. “Disa mijëra njerëz tashmë janë dënuar për fjalë të tilla për luftën.” Një zyrtar amerikan i tha CNN-it se vlerësimi i tyre fillestar ishte se vërejtja e Putinit nuk ishte e qëllimshme dhe me gjasë ishte një gabim i gjuhës.
Sidoqoftë, zyrtarët do të vëzhgojnë nga afër për të parë se çfarë thonë figurat brenda Kremlinit për këtë në ditët në vijim. Mijëra janë vrarë, fshatra të tëra janë zhdukur dhe miliarda dollarë infrastrukturë janë shkatërruar që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Putini më 24 shkurt. Atë ditë, Putin përdori termin “operacion special ushtarak” për të përshkruar sulmin e tij.

