Kronike
Holanda rimerr kryesimin e investimeve

Holanda ka marrë sërish kryesimin e investimeve të huaja sipas shteteve në tremujorin e tretë të këtij viti. Vlerat e mëdha të investimeve holandeze lidhen sidomos me faktin se Holanda është një nga juridiksionet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani offshore, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet direkte holandeze në tremujorin e tretë të vitit arritën në 77 milionë euro, në rritje me 120% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa për gjithë 9-mujorin 2022 prekën vlerën e 147 milionë eurove, 4.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Holanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe kjo i ndihmon kompanitë në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.
Arsyeja tjetër pse Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. Në këtë pikë, Holanda ka karakteristika të ngjashme me vende të tjera që njihen si juridiksione offshore. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kompanive me aksionerë shqiptarë që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë

