Politike
Roland Bejko: Nëse mbështesni Berishën, nuk e dua votën! Synon eliminimin e PD
Roland Bejko, kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Tiranës, hedh akuza të forta në drejtim të Sali Berishës, duke theksuar se qëllimi i këtij të fundit nuk është rrëzimi nga pushteti i Edi Ramës. I ftuar në Real Story në Report TV me gazetarin Sokol Balla, Bejko tha se qëllimi i Berishës është që të eleminojë Partinë Demokratike dhe të dalë forcë e dytë, në një kohë kur e ka të pamundur për të rimarrë partinë.
“S’e kemi brenda vetes garës, se tashmë PD është e ndarë, Berisha po kërkon një identitet të ri politik, në emër, por edhe filozofi, as vulën, as partinë dhe as grupin e PD, nuk e merr dot sepse është i ndaluar, është i refuzuar, duket si një fantazmë që vjen nga e shkuara në një gjeneratë tjetër, përveç dëmit që i bëri PD, Berisha nuk mundet ta rifitojë kohën që të fitojë marrjen e PD dhe të marrë pushtetin pastaj. Berisha e di mirë që nuk e merr kurë pushtetin në kushtet ku ndodhet dhe e dinë që nuk bëhet më alternativ qeverisëse, Berisha luan për të qenë i dyti dhe kërkon të na eleminojë ne”, tha Bejko.
Në këtë kuadër, Bejko ka edhe një mesazh të fortë për demokratët që mbështesin Sali Berishën.
Ai thotë se është një arritje historike që sot ka një Parti Demokratike pa Sali Berishës dhe sipas tij kjo gjë tashmë është bërë fakt.
“Është arritur që jemi një PD pa Sali Berishën dhe kjo është arritje. Mund t’ju siguroj ju dhe opinionin publik. Kryesia më zgjodhi mua që unë isha një zë kundër berishizmit. Unë ju garantova që edhe 1 të ngelet, unë do të tërhiqet nga gara, unë e konsideroj Tiranën si Stalingradi, ne më shumë se numra, jemi ide, që të ndërtojmë një PD të vërtetë dhe për këtë jemi të përbetuar me njëri tjetrin. Jemi përfaqësues të bindur të euroatlantizmit”, shtoi ai.
Bejko thotë se programi i tij është decentralizues dhe çmonopolizues, që do të thotë se është krejtësisht i djathtë, mes 5 partive të majta në këto zgjedhje.