Shkrime
Faleminderit Senator Menendez
Nga Doktor Profesor Enver Bytyçi
Paraqitja në senatin amerikan e dy përfaqësuesve të DASH, Derek Collet dhe Gabriel Escobar, zbuloi alternativën më dobiprurëse e të drejtë për Kosovën, si dhe paqen e stabilitetin në rajon.
Ishte kreu i Komisionit të Jashtëm të Senatit, senatori Bob Menendez, ai që kërkoi publikisht që “të mos i bëhet presion Kosovës”! Ndërkaq vetëm disa orë pas përfundimit të këtij ballafaqimi në Senat, presidenti Biden e zevendësoi zotin Escobar me një diplomat tjetër karriere.
Që BE dhe disa diplomatë amerikanë, si Grenell, Palmer, Escobar e madje edhe Christopher Hill i kanë bërë dhe i bëjnë Kosovës një presion të jashtëzakonshëm, kjo është një temë e trajtuar gjerësisht.
Ndërkaq senatori Menendez është më i qarti, më seriozi, më i drejti, më i arsyeshmi ndër të gjithë ata që kemi dëgjuar deri më sot. Deklaratat e tij për asosacionin dhe trysninë që i bëhet Kosovës si palë e dobët janë ndihma më e çmuar që vjen në një kohë shumë delikate dhe kthese në historinë e saj. Ai tha troç, se ka frikë që asosacioni mund të jetë në modelin e një Republika Srpska. Dhe nuk heq dorë nga ky konstatim, edhe pse Escobar triblon, kur thotë se kemi këtë ose atë qëllim.
Kur krijohen asosacione me autonomi territoriale për serbët në Kosovë, nuk kanë rëndësi qëllimet e reklamuara. Madje shpallja e tyre mund të jetë një intrigë “garancie” pa garanci. Edhe pse me shkrim, po shohim se çfarë garancie përbën letra e ish-të ngarkuarës për Siguri e Politikë të Jashtme në Europë, Frederica Mogherini, drejtuar ish-kryeministrit, Isa Mustafa.
Paralel me debatin në Senatin Amerikan erdhi hapja të dielën e shkuar e stërvitjes Defender 2023, në të cilën Kosova radhitet si shteti i katërt për numrin e pjesmarrësve në këtë stërvitje.
Serbët u ankuan me këtë rast. Thanë se as KFOR-i nuk i kishte njoftuar se në territorin e tyre, të cilin ata e quajnë “Serbia Jugore“, do të zhvillohet një stërvitje e tillë. Kjo do të thotë se nuk kanë kuptuar as sot pas 13 vitesh që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 22 korrik 2010, kur njohu shtetësinë e Kosovës. Fakti që NATO nuk është konsultuar e madje as nuk ka njoftuar Beogradin për këtë stërvitje flet shumë. Përmes kësaj Perendimi ka dhënë mesazhin e qartë: Nuk do të diskutohet me Serbinë për integrimin e Kosovës në NATO.
Ky është avantazh i madh! Avantazh i krijuar nga vetë lidershipi i Kosovës dhe nga miqtë e saj të vërtetë. Mbrojeni pra Kosovën përmes gjithë këtyre avantazheve. Askush nuk mund t’ju akuzojë për “anti-amerikanë”! As disa opozitarë, shërbëtorë të Beogradit!
Eshtë koha që Kosova të imponohet, por jo duke ikur! Duke qenë alternativë në zgjidhjet që kërkohen nga Perendimi e njëkohësisht duke ruajtur dhe mbrojtur shtetësinë, pavarësinë, tëritorin dhe sovranitetin!
Dhe në çdo hap që bëhet duhet t’i përulemi Senatorit Bob Menendez, t’i falemi atij që na u gjend pranë në këto ditë të vështira! Faleminderit Senator Bob Menendez!